8 Prill 2014

Konferenca e 6-të Ndërkombëtare mbi Pensionet dhe Kursimet, prill 2014

Gjatë datave 2-3 prill në Washington DC, SHBA, Banka Botërore zhvilloi Konferencën e 6-të Ndërkombëtare mbi Pensionet dhe Kursimet dhe në vazhdim seminarin mbi strategjinë e mbikëqyrjes dhe rregullimit në sistemin e pensioneve.

Konferenca mblodhi mbi 150 pjesëmarrës nga autoritet rregullatore dhe mbikëqyrësit e tregut të pensioneve, si edhe drejtues të kompanive të sigurimit të Jetës, akademikë, zyrtarë nga organizatat financiare ndërkombëtare, të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Konferenca e 6-të ndërkombëtare mbi Pensionet dhe Kursimet  u fokusua në mësimet e nxjerra gjatë 20 viteve të fundit në analizimin dhe zbatimin e politikave në sistemin e pensioneve. Programi i konferencës synonte shkëmbimin e eksperiencave mbarë-botërore në gjetjen e mjeteve, teknikave si dhe zbatimin e politikave të dobishme për të përmirësuar rezultatet e punës në sistemin e pensioneve në dekadat e ardhshme. Aty u paraqitën rezultatet e punës së mbështetur nga Grupi i Bankës Botërore i ngritur për të ndihmuar vendet në zhvillimin e sisteme efektive mbikëqyrëse, për të lehtësuar reformën e sistemit të pensioneve dhe adresimin e problemeve që ndeshen në ecurinë e mëtejshme të tregut të pensioneve në vendet në zhvillim.

Në sesione të veçanta u trajtuan:
-    Qëndrueshmëria dhe problematikat lidhur me plakjen e popullsisë;
-    Sfidat dhe risitë në zgjerimin e mbulimit me skema pensioni;
-    Refleksionet rajonale dhe globale të skemave të ndryshme;
-    Tendencat botërore të investimeve, investitorët institucionalë dhe infrastruktura, sidomos në tregjet në lindje;
-    Struktura e tregut, shkalla dhe drejtimi si forca udhëheqëse për përmirësimin e kostove dhe investimeve.

Vende të ndryshme evropiane si Greqia, Italia, Polonia, Suedia sollën eksperiencat e tyre se si po përballen ato me ndryshimet në sistemin e pensioneve. Po kështu eksperienca u sollën edhe nga Azia Qendrore, Amerika Latine, India, etj. Konferenca dha një kontribut të rëndësishëm edhe në hartimin e platformave sa më mira që pensionet publike dhe private të mund të ndihmojnë për të lehtësuar vështirësitë ekonomikë të vendeve.

Në vazhdim, u zhvillua një tryezë e përbashkët diskutimi mbi rregullimin dhe mbikëqyrjen në sistemin e pensioneve. Në diskutime u theksua nevoja për mbikëqyrjen me bazë riskun, si pjesë e procesit të reformës strategjike. Midis diskutimeve nga vende të ndryshme, u prezantua edhe eksperienca dhe zhvillimet e fundit në sistemin e pensioneve, dhe veçanërisht në kolonën e tretë, të Shqipërisë. Gjithashtu, u shkëmbyen informacione për projektet e zhvilluara dhe ato në vazhdim, duke përfshirë bazën e dhënave, infrastrukturën e pagesave, etj.