14 Korrik 2014

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare fillon zbatimin e projektit të asistencës për tregun e pensioneve private vullnetare

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të programit të vlerësimit të sektorit financiar (FSAP) dhe me mbështetjen e Bankës Botërore, nëpërmjet First Initiative (Financial Sector Reform and Strengthening Initiative) filloi zbatimin e projektit të asistencës teknike për mbikëqyrjen dhe zgjerimin e tregut të pensioneve private vullnetare në vend. Objektivi i këtij projekti është mbështetja e zgjerimit të procesit të rregullimit dhe mbikëqyrjes së pensioneve private, si dhe të kontribuohet në zgjerimin e shtrirjes së tregut të pensioneve private në një sistem pensionesh më të sigurt, të qëndrueshëm dhe të efektshëm.

Projekti përqendrohet në dy komponentë bazë që janë rregullimi dhe mbikëqyrja, si dhe zgjerimi i tregut, duke kontribuar në ndërtimin e kuadrit të mbikëqyrjes mbi bazë risku dhe të kapaciteteve mbikëqyrëse; rishikimin e bazës ligjore dhe rregullatore për të mbështetur kuadrin e ri mbikëqyrës;  apo përcaktimin e një plani strategjik dhe veprimi për të mbështetur zgjerimin e tregut të pensioneve private vullnetare.

Projekti i asistencës ka një shtrirje kohore prej 18 muajsh dhe pritet të përfundojë në vitin 2015. Java 7 - 11 korrik 2014 shënon fillimin e projektit. Gjatë kësaj jave grupi i ekspertëve të Bankës Botërore i përbërë nga z. William Price, z. John Ashcroft dhe z. Leendert Van Driel shqyrtuan me stafin e AMF-së dhe palë të tjera të interesuara, si shoqëritë e administrimit të fondeve të pensioneve, institucionet shtetërore dhe bizneset, potencialin dhe kushtet për të nxitur zhvillimin e tregut të pensioneve.

Për më tepër informacion në lidhje me këtë aktivitet kontaktoni në [email protected]