17 Korrik 2014

Mbi hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 54/2014 datë 29.05.2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 9572 datë 3.7.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”

Në datën 17 korrik 2014 hyri në fuqi Ligji nr. 54/2014  “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9572 datë 3.7.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare””. Ky ligj u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në 29 maj 2014. Ndryshimet dhe shtesat në këtë ligj synojnë forcimin e rolit mbikëqyrës dhe rregullator të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në përmbushje të objektivave të tij, nëpërmjet forcimit të pavarësisë dhe të përgjegjshmërisë së AMF.

Dispozitat e ligjit:

  • rivendosin kompetencat e Bordit të AMF në lidhje me qeverisjen e institucionit, për të qenë në gjendje për t’iu përgjigjur me efektivitet procesit mbikëqyrës dhe rregullator, në mbështetje të zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së tregjeve financiare;
  • forcojnë kërkesat për AMF në lidhje me marrëdhënien me autoritete të tjera mbikëqyrëse dhe ligjzbatuese për çështje të luftës kundër pastrimit të parave, të siguruara nga burime të paligjshme dhe financimit të terrorizmit;
  • qartësojnë mekanizmin mbrojtës për anëtarin e Bordit dhe të punonjësit të AMF-së gjatë ushtrimit të detyrës në mirëbesim, me synim forcimin e pavarësisë dhe integritetit të tyre në kryerjen e detyrës; si dhe
  • forcojnë pavarësinë dhe përgjegjshmërinë financiare të AMF-së duke parashikuar krijimin e fondit rezerve, duke specifikuar më qartë grumbullimin e të ardhurave dhe kthimin e tepricave në subjektet e mbikëqyrura, si dhe duke mos parashikuar financim nga buxheti i shtetit.
Hartimi i këtij projektligji u bë nga AMF në bashkëpunim me ekspertë të huaj nga Korpusi Vullnetar i Shërbimeve Financiare, (FSVC),  si edhe duke mbajtur parasysh legjislacionet e mjaft vendeve të tjera me tregje financiare të zhvilluara. Gjithashtu në hartimin e ligjit u mbajtën parasysh rekomandimet e dhëna nga Banka Botërore, Komisioni Evropian në raportet e progresit për Shqipërinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Programi për Vlerësimin e Stabilitetit Financiar 2013-2014. Ligji integron edhe parimet ndërkombëtare të hartuara nga Shoqata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurimeve, (IAIS), Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Letrave me Vlerë, (IOSCO), dhe Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Pensioneve, (IOPS), të cilat e vënë theksin në pavarësinë politike, rregullatore, mbikëqyrëse dhe financiare/organizative të autoriteteve rregullatore të fushave përkatëse.

AMF u krijua në vitin 2006 si institucion publik i pavarur që rregullon dhe mbikëqyr veprimtarinë në tregjet financiare të sigurimeve, letrave me vlerë dhe pensioneve private vullnetare në vend dhe raporton në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Për të lexuar tekstin e plotë të Ligjit nr. 54/2014 datë 29.05.2014  “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9572 datë 3.7.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”” kliko këtu .