25 Korrik 2014

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-qershor 2014

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-qershor 2014 arritën rreth 5,316 milionë lekë, ose 34.61% më shumë se në periudhën janar-qershor 2013. Gjatë periudhës janar-qershor 2014, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 447,244 me një ulje prej 1.34% krahasuar me periudhën janar-qershor të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 89.31% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 10.18% dhe veprimtarinë e Risigurimit me rreth 0.51%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 45.80% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 54.20% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-qershor 2014, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në mbi 1,318 milionë lekë, ose 2.44% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2013.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-qershor 2014 arritën rreth 2,867 milionë lekë, ose rreth 70.18% më shumë se periudha janar-qershor 2013.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-qershor 2014, pati një rritje prej 81.40% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një ulje prej 1.31% krahasuar me periudhën janar-qershor 2013.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-qershor 2014 pati një rritje prej 26.13% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe nga një ulje e numrit të kontratave prej 2.01% krahasuar me periudhën janar-qershor 2013.

Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-qershor 2014 pati një rritje me 44.94% të volumit të primeve të shkruara bruto, krahasuar me periudhën janar-qershor 2013. Ndërsa numri i kontratave u ul me 9.48%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-qershor 2014 arritën rreth 2,422 milionë lekë, ose 8.05% më shumë se në periudhën janar-qershor 2013. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 0.01% krahasuar me periudhën janar-qershor të një viti më parë.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës, gjatë periudhës janar-qershor 2014, patën rritje me rreth 6.17%  kundrejt periudhës janar-qershor 2013.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-qershor 2014, siguruan mbi 1,213 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë, me rreth 66.32% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 20.31% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-qershor 2014, vihet re një rritje prej 23.29% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një ulje me 0.09% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-qershor të vitit 2013.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-qershor 2014, arritën në mbi 389 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 6.18% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-qershor 2014, arritën mbi 541 milionë lekë, ose rreth 15.16% më shumë se në periudhën janar-qershor të vitit të kaluar.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-qershor 2014 u ulën me rreth 2.44% krahasuar me periudhën janar-qershor të 2013. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me mbi 1,082 milionë lekë, apo 82.11% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.



Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-qershor 2014, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar-qershor 2014 (në versionin EXCEL) klikoni këtu.