28 Tetor 2008

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për Periudhën Janar - Shtator 2008

Në periudhën Janar - Shtator 2008, numri i kontratave të sigurimit të lidhura, arriti në 508,026, duke shënuar një rritje prej rreth 25.15% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Rritja e numrit të kontratave në 2008 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 5,397 milionë lekë, shifër kjo 20.40 % më e lartë se ajo e të njëjtës periudhë të vitit 2007. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 92.94 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 7.06 %. 

 

 



Sigurimi i Detyrueshëm

Gjatë kësaj periudhe të vitit 2008 sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun Shqiptar, duke sjellë rreth 55.58 % të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve.

  • Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në këtë periudhë të vitit 2008 janë rreth 2,039 milionë lekë. Rritja e të ardhurave me 5.01% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007 lidhet me rritjen prej 7.30 % të numrit të kontratave.
  • Në periudhën Janar - Shtator  2008, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 705 milionë lekë, ose 14.81% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2007, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 16.41 % krahasuar me të njëjtën periudhë.
  • Sigurimi Kufitar shënoi ulje në grupin e sigurimeve të detyrueshme me rreth 38.49 % në krahasim me periudhën Janar - Shtator 2007. Në të njëjtën kohë numri i kontratave të sigurimit kufitar pati një rritje në masën 14.22%. Gjatë kësaj periudhe, primet e shkruara bruto nga sigurimi kufitar arritën në rreth 255 milionë lekë. Efekti vjen nga ulja e tarifave të shitjes  të këtij lloj sigurimi sipas Urdhërit Nr. 70 datë, 20.07.2007 të Ministrit të Financave.

Sigurimi vullnetar

Në Janar - Shtator 2008,  vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 2,397 milionë lekë me një rritje prej 58.60% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë dhe rreth 49.93% rritje të numrit të kontratave të sigurimit.

Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 64.65% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 1,426 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 49.35% të pasuara nga sigurimet nga zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 33.93% dhe sigurimi i garancisë me 9.34%.

Në 9-mujorin e këtij viti sigurimet e përgjegjësisë kanë dinamikën më të lartë të rritjes dhe ndikimin kryesor në rritjen e tregut për këtë periudhë. Rritja e këtij portofoli me rreth 177% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007, reflekton ndikimin që stadi aktual i zhvillimit të vendit ka në rritjen e sigurimit të përgjegjësive. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë patën një rritje prej 209 % në volumin e primeve të shkruara dhe në numrin të kontratave rritja është 52.67%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo shpjegohet me rritjen e investimeve në infrastrukturë dhe në ndërtime të tjera inxhinierike.

Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' ndihet një rritje prej 30.54 % e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 18.44% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, që shpjegohet dhe me  marrjen në sigurim të përgjegjësive me vlera të vogla.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në 9-mujorin e vitit 2008 arritën në rreth 223 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 53.86% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit në udhëtim me rreth 83.94% të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit në udhëtim lidhet me numrin në rritje të personave që udhëtojnë jashtë vendit.

Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës arriti në rreth 381 milionë lekë me një rritje prej 32.78% krahasuar me Janar - Shtator  2007.

Peshën më të madhe prej rreth 72.09% në të ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti "Jetë Debitori". Ky produkt i sigurimit është kërkesë e Bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.

Dëmet e paguara bruto

Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në nëntëmujorin e vitit  2008 ishte rreth 1,086 milionë lekë, ose 6.79 % më shumë se në Janar - Shtator të vitit 2007.

Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 866 milionë lekë, apo 79.71% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorrik, meqënëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për MTPL e brendshme, Kasko Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2007

2008

                                                       Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

81

94

Karton Jeshil

703

829

Kasko

79

86

 

Për çdo të interesuar, Raporti Mujor Statistikor Janar - Shtator 2008 përmban një pasqyrë të detajuar të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit etj.