25 Janar 2016

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për vitin 2015

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për vitin 2015 kapën vlerën mbi 14,088 milionë lekë, ose 21.19% më shumë se në vitin 2014. Gjatë vitit 2015, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,097,083 me një rritje prej 6.36% krahasuar me vitin 2014. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.61% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 7.29% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.09%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.78% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.22% të totalit të tregut.

Gjatë vitit 2015, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 3,638 milionë lekë, ose 28.15% më shumë se në vitin 2014.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë vitit 2015 arritën rreth 8,476 milionë lekë, ose 22.49% më shumë se në vitin 2014.

Produkti MTPL e brendshme, në vitin 2015, pati një rritje prej 27.53% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me rritje të numrit të kontratave prej 8.84% krahasuar me vitin  2014.

Produkti Sigurim Kufitar në vitin 2015 pati një ulje prej 12.77% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje e numrit të kontratave prej 24.18% krahasuar me vitin  2014.

Produkti Karton Jeshil, në vitin 2015, pati një rritje me 18.14% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me vitin 2014. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 18.93%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë vitit 2015 arritën mbi 5,598 milionë lekë, 19.69% më shumë se në vitin 2014. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 7.69% krahasuar me vitin 2014.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë vitit 2015, patën rritje me 25.20% kundrejt vitit  2014.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë vitit 2015 siguruan mbi 2,610 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 73.33%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 17.81% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë vitit 2015, vihet re një rritje prej 5.82% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 7.02% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me vitin 2014.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë vitit 2015, arritën në rreth 1,119 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 38.65% në krahasim me vitin 2014.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë vitit 2015, arritën rreth 1,027 milionë lekë, ose 0.08% më shumë se në vitin e kaluar.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë vitit 2015 u rritën me 28.15% krahasuar me vitin 2014. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 2,196 milionë lekë, apo 60.37% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

 Në mijë lekë

Lloji i sigurimit

viti

Ndryshimi

 2014

2015

(në %)

                                 Dëmi mesatar

 

MTPL e brendshme

261

233

(10.79)

Karton Jeshil

838

496

(40.75)

Kasko

76

82

   7.71


Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për vitin 2015, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për vitin 2015 (në versionin EXCEL) klikoni këtu.