23 Mars 2016

Komisioni për Ekonominë dhe Financat i Kuvendit të Shqipërisë miraton projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive (SIK).

Komisioni për Ekonominë dhe Financat i Kuvendit të Shqipërisë miratoi në datë 21 mars 2016 projektligjin e propozuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10198 datë 10.12.2009 “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”.

Znj. Enkeleda Shehi, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, bëri prezantimin dhe shpjegimin e amendimeve të propozuara, ku të pranishëm ishin edhe ekspertë të AMF-së. Këto propozime u bënë duke konsideruar karakteristikat e tregut të letrave me vlerë në Shqipëri, nevojat dhe objektivat e investitorëve aktualë e atyre potencialë të fondeve të investimeve, dinamikën e shpejtë të zhvillimit të tregut të fondeve të investimeve si edhe nevojën për të përforcuar mbrojtjen e interesave të investitorit. Ndryshimet dhe shtesat në projektligj janë hartuar në kuadër të rekomandimeve të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) lidhur me industrinë e fondeve të investimit në Shqipëri dhe synojnë forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregut të sipërmarrjeve të investimeve kolektive (SIK) në vend, duke vënë theksin në forcimin e administrimit të risqeve të tregut të fondeve të investimit dhe operatorëve të këtij tregu. Ky proces i administrimit të riskut është i rëndësishëm për mbrojtjen e investitorëve, nga risqet ndaj të cilave janë të ekspozuar sipërmarrjet e investimeve kolektive (SIK), gjatë kryerjes së veprimtarisë së tyre.

Amendimet e ligjit konsistojnë në dy elementë:

  • saktësimin e kompetencave të AMF-së për të vendosur rregulla për kuadrin e administrimit të riskut, në funksion të mbrojtjes së interesit të investitorëve; dhe
  • saktësimin e regjimit të pezullimit të shlyerjes dhe shitjes së kuotave, si dhe kompetencave të AMF-së në këtë proces.
Projektligji bën përafrimin edhe me Direktivat Evropiane në fushën e sipermarrjes së investimeve kolektive “Për koordinimin e ligjeve, rregulloreve dhe dispozitave administrative lidhur me sipërmarrjet për investimet kolektive në letrat me vlerë të transferueshme” (EU - UCITS), të cilat kanë për qëllim harmonizimin e funksionimit dhe mbikëqyrjes së këtyre fondeve.

Për më shumë informacione, kontaktoni [email protected]