31 Mars 2016

Në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë u miratua projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”.

Sot, në datën 31 Mars 2016 në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë u miratua projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10198, datë 10.12.2009, “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”.

Qëllimi i projektligjit është forcimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i tregut të sipërmarrjeve të investimeve kolektive (SIK) në vend, duke vënë theksin në forcimin e administrimit të risqeve të tregut të fondeve të investimit dhe operatorëve të këtij tregu, me synim kontrollin dhe zbutjen e risqeve kundrejt të cilave ekspozohen këto fonde, si dhe përforcimin e mbrojtjes së interesave të investitorëve nëpërmjet saktësimit dhe përmirësimit të regjimit të pezullimit të shlyerjes dhe shitjes së kuotave.

Amendimet e ligjit konsistojnë vetëm në dy elemente:

  • saktësimin e kompetencave të AMF-së për të vendosur rregulla për kuadrin e administrimit të riskut; dhe
  • saktësimin e regjimit të pezullimit të shlyerjes dhe shitjes së kuotave, si dhe kompetencave të AMF-së në këtë proces.