7 Prill 2016

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare vijon projektin për reformën në tregun e sigurimeve

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në vijim të projektit “Shqipëria: Reforma e tregut të sigurimeve, me mbështetjen e Bankës Botërore, nëpërmjet FIRST Initiative (Financial Sector Reform and Strengthening Initiative) organizoi në datat 5 dhe 6 prill 2016 një trajnim mbi disa aspekte teknike të mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve. Projekti synon të ndihmojë AMF-në në implementimin e reformave ligjore dhe rregullatore që kanë të bëjnë me forcimin e mbikëqyrjes dhe nxitjen e zhvillimit të mëtejshëm të tregut te sigurimeve.

Gjatë trajnimit u trajtuan disa komponentë të projektit, një ndër të cilët është edhe rishikimi i kuadrit rregullator për produktet e sigurimit motorik (MTPL) me theks të veçantë mbi teknikat aktuariale të përllogaritjes së provigjoneve të dëmeve për produktet e sigurimit motorik (MTPL).

Grupi i ekspertëve të Bankës Botërore i përbërë nga Znj. Marijana Lemic-Saramandic,  Z. Alexander Itigin, dhe Znj. Alma Qamo, konsulentë në sigurime, shqyrtuan në bashkëpunim me stafin e AMF-së mundësitë për të nxitur reformën e tregut të sigurimeve. Nëpërmjet prezantimeve të tyre, ekspertët shpjeguan metodat e ndryshme në llogaritjen e rezervave teknike. Z. Alexander Itigin, njëkohësisht edhe aktuar i projektit, prezantoi edhe një program interaktiv, i cili shërben për të aplikuar metodat e ndryshme në përllogaritjen e rezervave teknike.

Për më tepër informacion në lidhje me këtë aktivitet kontaktoni në [email protected]