13 Maj 2016

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare përfundon zbatimin e projektit "Mbikëqyrja dhe zgjerimi i tregut të pensioneve private vullnetare në vend"

Në datat 09-13 Maj 2016 ekspertët e Bankës Botërore Z. John Ashcroft dhe Z. Leendert van Driel zhvilluan vizitën e tyre përmbyllëse mbi projektin “Mbikëqyrja dhe zgjerimi i tregut të pensioneve private vullnetare në vend”. Projekti, i cili filloi në vitin 2014, në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të programit të vlerësimit të sektorit financiar (FSAP) dhe me mbështetjen e Bankës Botërore, nëpërmjet FIRST Initiative (Financial Sector Reform and Strengthening Initiative), pati si synim forcimin dhe zhvillimin e pensioneve private në Shqipëri.

Në bashkëpunim me ekspertët e Bankës Botërore grupi i punës në AMF punoi intensivisht në dy komponentët bazë të projektit, që janë mbikëqyrja me bazë rreziku si dhe zgjerimi i pjesëmarrjes në fondet private vullnetare të pensioneve. Fushat kryesore që u mbuluan në kuadër të këtij projekti ishin: ndërtimi i kuadrit të mbikëqyrjes me bazë rreziku dhe të kapaciteteve mbikëqyrëse; rishikimi i bazës ligjore dhe rregullatore për të mbështetur kuadrin e ri mbikëqyrës; përcaktimi i një plan veprimi strategjik  për të mbështetur zgjerimin e tregut të pensioneve private vullnetare.

Në javën e fundit të vizitës përmbyllëse të projektit, u kryen takime me përfaqësues të shoqërive administruese dhe  depozitarëve të fondeve të pensionit, si dhe me përfaqësues  të kompanive  të ndryshme që operojnë në tregun shqiptar.

Pas përfundimit të këtij projekti, Autoriteti do të vazhdojë punën në drejtim të miratimit të manualit të mbikëqyrjes së pensioneve private me bazë rrezikun, implementimin e mbikëqyrjes me bazë rreziku në tregun e pensioneve private si dhe përmbushjen e planit strategjik të zgjerimit të tregut të pensioneve private vullnetare në vend.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare falënderon Bankën Botërore, ekspertët John Ashcroft, Leendert van Driel dhe William Price, si dhe grupin e punës në AMF për realizimin me sukses të këtij projekti.

Për më shumë informacion kontaktoni [email protected]