30 Maj 2016

Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Znj. Shehi përshëndet Konferencën e Dytë Kombëtare për Financën

Znj. Enkeleda Shehi, Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), përshëndeti Konferencën e Dytë Kombëtare për Financën “Sfidat e zhvillimit të ekonomisë shqiptare”, të zhvilluar në datën 27 maj 2016. Konferenca u organizua nga Departamenti i Financës i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Në konferencë merrnin pjesë Rektori i Universitetit të Tiranës, përfaqësues nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave, përfaqësues të shoqatës së bankave, të dhomave të tregtisë dhe industrisë, studiues dhe akademikë nga fusha të ndryshme të zhvillimit të ekonomisë, ekspertë të financave dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme në Shqipëri.

Disa nga sesionet kryesore të konferencës trajtonin tematika si:

    - Sfondi i zhvillimit të ndërmjetësimit të sistemit të ndërmjetësimit financiar;
    - Sipërmarrja e biznesit sipas një trajtimi akademik;
    - Ekonomia shqiptare në fokusin e indikatorëve.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Znj. Shehi vuri theksin tek rëndësia e bashkëpunimit që AMF ka pasur ndër vite me Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës që prej nënshkrimit të marrëveshjes në vitin 2002. Znj. Shehi theksoi se bashkëpunimi i AMF-së me universitetet është veçanërisht me rëndësi për edukimin e brezit të ri të profesionistëve me njohuritë e nevojshme për sistemet financiare dhe tregjet nën mbikëqyrjen e saj. Si një drejtim tjetër të rëndësishëm bashkëpunimi, Znj. Shehi theksoi edhe fushën e kërkimit shkencor, analizimin e të dhënave, krijimin dhe hartimin e modeleve financiare të cilat ndihmojnë si universitetet edhe AMF-në për të gjeneruar zgjidhje të problematikave me të cilat përballet zhvillimi i tregjeve financiare në vend.

AMF e konsideron të rëndësishëm bashkëpunimin me universitetet edhe në funksion të realizimit të një prej objektivave të saj kryesore, mbrojtjes dhe edukimit të konsumatorit, rritjes së njohurive financiare dhe ndërgjegjësimin të qytetarëve duke i shërbyer kështu zhvillimit të qëndrueshëm të tregut financiar.     

Për të lexuar fjalën e plotë të Znj. Shehi, ju lutem klikoni këtu.