3 Qershor 2016

Workshop mbi qeverisjen e korporatave sipas përvojës së sistemit financiar

Me datë 2 qershor 2016 u organizua workshop-i i nivelit të lartë mbi qeverisjen e korporatave duke u bazuar në përvojën e sistemit financiar në Shqipëri. Ky workshop u organizua nga Instituti për Bashkëpunim Financiar  i Bankës Botërore, (International Financial Cooperation, World Bank Group), Departamenti Federal për Çështjet Ekonomike, Edukimin dhe Kërkimin, i Sekretariatit Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike, SECO dhe Banka e Shqipërisë. Pjesëmarrës në këtë workshop ishin drejtues të nivelit të lartë të institucioneve financiare në vend, ekspertë të huaj nga organizma ndërkombëtare, studiues të lartë në fushën e financës, etj. Në workshop mori pjesë dhe prezantoi edhe Znj. Enkeleda Shehi, Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Studimet e ndryshme të prezantuara në këtë workshop lidheshin me dy tematika kryesore: 
    (i) Përmirësimin e qeverisjes së korporatave në sektorin financiar; dhe
    (ii) Rolin e qeverisjes së korporatave për stabilitetin financiar.

Në prezantimin e saj Znj. Enkeleda Shehi foli për rëndësinë e qeverisjes së shëndoshë korporative të shoqërive që veprojnë në tregjet financiare nën mbikëqyrjen e AMF-së. Gjatë fjalës së mbajtur, Znj. Shehi theksoi se AMF ka punuar shumë në përmirësimin e kuadrit rregullator mbi tregjet që ajo mbikëqyr.

Ligji nr. 52, datë 22.05.2014 "Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit" paraqet shumë risi në aspektin e mirëqeverisjes së korporatave në kuadër të forcimit të mëtejshëm të aplikimit të parimeve të kërkesave për përshtatshmëri dhe aftësi (Fit and Proper). Në bazë të kërkesave specifike ligjore, Autoriteti  bën një vlerësim nëse anëtari i Bordit të Drejtorëve/Bordit Mbikëqyrës, Drejtori, kontrolluesi kryesor apo funksionar i rëndësishëm është i përshtatshëm dhe i duhur për të mbajtur këtë funksion.

Ligji ka forcuar rolin e Autoritetit në procesin e përzgjedhjes së strukturës drejtuese të shoqërive. Shoqëria e sigurimit njofton dhe merr miratimin nga Autoriteti për çdo ndryshim të administratorit/anëtarit të Bordit të Drejtorëve dhe anëtarit të Këshillit të Administrimit/Mbikëqyrës.

Për më tepër, ligji ka parashikuar edhe ndryshime organizative për funksionimin e shoqërive të sigurimeve. Shoqëria e sigurimit, duhet të ushtrojë veprimtarinë e saj nëpërmjet një strukture të përshtatshme administrative dhe llogaridhënëse, një strukture të kontrollit të brendshëm e të administrimit të rrezikut, të cilat përputhen në përmasë e kapacitet me veprimtarinë që ajo kryen. Gjithashtu, struktura organizative e shoqërisë së sigurimit duhet të pasqyrojë një ndarje të përshtatshme dhe caktim të qartë të përgjegjësive, si dhe të ketë një sistem të brendshëm efektiv të shpërndarjes së informacionit.

Znj. Enkeleda Shehi theksoi edhe kontributin e rëndësishëm që Banka Botërore ka dhënë nëpërmjet projekteve të saj të asistencës në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor dhe rregullator për tregjet nën mbikëqyrjen e AMF-së.

Edhe pse kuadri ligjor është mjaft i plotë sidomos për sa i përket tregut të sigurimeve mbetet akoma shumë për të bërë në kuadër të zbatimit të ligjit. Znj. Shehi paraqiti edhe disa nga problematikat kryesore të hasura gjatë mbikëqyrjes së shoqërive të sigurimit.

Në përfundim, u pasqyrua puna e AMF-së, për zbatimin e mëtejshëm të metodologjisë së mbikëqyrjes më fokus risku. Pjesë e kësaj metodologjie janë edhe fazat e ndërhyrjes nga ana e autoritetit mbikëqyrës mbi nivelet e ndryshme të rrezikut, duke përfshirë ato që lidhen me qeverisjen e korporatave.
 
Për më shumë informacion kontaktoni [email protected]