14 Qershor 2016

Zhvillohen Mbledhja e Përbashkët e IOPS e OECD si edhe konferenca mbi tendencat dhe sfidat në tregun e pensioneve

Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Pensioneve, (International Organisation of pensions Supervisors, IOPS) në bashkëpunim me Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (Organisation for Economic Co-operation and Development, OECD) zhvilluan në datat 6-9 qershor 2016 Mbledhjen e Përbashkët të Grupit të Punës mbi Pensionet Private (Working Party on Private Pensions, WPPP), Mbledhjet e Komitetit Teknik dhe Ekzekutiv të IOPS dhe Konferencën mbi “Sfidat kërkimore për pensionet globale-trendi dhe ndryshimet” (Pension Conference on Research Challenges for Global Pensions: Trends and Heterogenity).

Pjesëmarrës në këto mbledhje ishin zyrtarë nga autoritetet rregullatore dhe mbikëqyrëse, ekspertë të nivelit të lartë nga industria e fondeve të pensionit dhe institutet kërkimore nga vendet anëtare të të dyja organizatave OECD dhe IOPS. Në këto aktivitete merrte pjesë edhe Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë, si institucion anëtar i IOPS-it.

Në konferencën shkencore, tematikat kryesore të trajtuara u fokusuan në një numër çështjesh rregullatore dhe mbikëqyrëse që ndikojnë në skemat e pensioneve, duke analizuar tendencat aktuale, arritjet dhe sfidat në procesin e reformave të sistemit të pensioneve.  

Në seksione të ndryshme u diskutua:

  • Zgjedhja dhe formati i pensioneve: tendencat dhe heterogjeniteti;  
  • Sjellja konsumatore dhe zgjedhjet në sistemin e pensioneve;
  • Perspektiva globale për edukimin financiar;
  • Mënyrat se si tendencat e plakjes dhe heterogjeniteti po ndikojnë dhe po i japin formë sistemit të daljes në pension;
  • Sfidat e financimit të fondeve të pensioneve në kohë krize;
  • Diferencat social-ekonomike lidhur me daljen në pension.
Në vazhdim u zhvillua edhe një tryezë e rrumbullakët e nivelit të lartë me temë “Të bërit biznes në një botë të fragmentuar” (Doing business in a Fragmented World) ku u paraqit materiali “Business and Finance Outlook”. Në panelin prezantues të këtij studimi u diskutuan sfidat e fragmentimit dhe ndikimi i tyre tek produktiviteti dhe investimet, besimi në tregun e kapitaleve dhe financimet afatgjata sidomos në energjinë e gjelbër; ruajtja e qëndrueshmërisë dhe barazisë në një sistem të fragmentarizuar të pensioneve dhe sigurimit të Jetës; adresimi i fragmentarizimeve ligjore duke u fokusuar në zbatueshmërinë e regjimeve kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e investitorëve.  Prezantimet u bënë duke marrë mjaft shembuj dhe informacione nga sistemet e pensioneve në Evropë.

Krahas konferencës dhe tryezës së rrumbullakët u zhvilluan edhe Mbledhjet e Komiteteve Teknike dhe Ekzekutive të IOPS. Në këto takime u prezantuan, u diskutuan dhe u miratuan programi i punës si edhe disa çështje teknike dhe organizative.