1 Korrik 2016

Konferencë rajonale për harmonizimin e legjislacionit me acquis të BE-së në tregun e kapitalit dhe sistemin e pagesave

Në 30 qershor 2016 në Shkup, Maqedoni u zhvillua konferenca me temë “Harmonizimi i mëtejshëm me acquis të BE-së në fushën e lëvizjes së kapitalit dhe të pagesave, si dhe shërbimeve financiare - tregjeve të titujve dhe shërbimeve të investimit” (Further harmonization with EU ‘acquis’ in the field of movement of capital and payments and financial services-securities markets and investment services"). Konferenca organizohej në kuadër të Projektit IPA të financuar nga fondet e BE-së. Pjesëmarrës në konferencë ishin rregullatorë të tregut të letrave me vlerë nga i gjithë rajoni dhe përfaqësues të Bankës Kombëtare dhe institucioneve financiare të Maqedonisë.

Harmonizimi i legjislacionit me Direktivat e BE-së synon në një treg modern, eficient dhe produktiv. Një infrastrukturë moderne dhe e harmonizuar rrit besueshmërinë e investitorëve në tregun e kapitalit dhe në shërbimet financiare. 

Konferenca ishte e organizuar në dy panele kryesore. Tematika e diskutuar në panelin e parë të konferencës kishte të bënte me Shërbimet e Pagesave. Në këtë panel u diskutua edhe mbi pritshmëritë e konsumatorit në një mjedis dixhital.

Paneli i dytë kishte si temë kryesore Perspektivën Evropiane të Tregjeve të Kapitalit në Rajon. Pjesë e këtij paneli ishte edhe Znj. Enkeleda Shehi, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, krahas përfaqësuesve të rregullatorëve të tregjeve të kapitalit të rajonit si, Kroacia, Sllovenia, Serbia dhe Maqedonia. Në fjalën e saj, Zj. Shehi u përqendrua në punën e bërë nga AMF për përmirësimin e bazës rregullative të tregut të letrave me vlerë dhe veçanërisht të tregut të fondeve të investimeve. Nëpërmjet të dhënave dhe fakteve, auditori u njoh me zhvillimet e tregut shqiptar, dhe njëkohësisht u njoh me projektet e ardhshme.

Pjesëmarrësit në panel diskutuan mbi efektet e mundshme që ka procesi i anëtarësimit, harmonizimi i kuadrit ligjor dhe përfshirja në një bursë rajonale të letrave me vlerë për zhvillimin e tregut të kapitalit në vendet e rajonit. Çështjet, ku u përqendrua diskutimi ishin:

  • Përvoja e shteteve të reja, anëtarë të BE-së, dhe efektet e këtij anëtarësimi në tregun e letrave me vlerë;
  • Përvoja e secilit vend të rajonit për rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e investitorëve;
  • Sfidat që vijnë nga procesi i harmonizimit ligjor pas procesit të anëtarësimit në BE;
  • Vlerësimet e para pas krijimit të linkut mes 3 bursave të vendeve të rajonit; 
  • Sfidat e  konsolidimit rajonal të tregjeve të kapitalit;
  • Tendencat e shkëmbimit ndërkufitar të shërbimeve financiare në rajon.
Për më shumë informacion kontaktoni [email protected]