18 Korrik 2016

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare raporton në Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit të Shqipërisë

Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Znj. Enkeleda Shehi, paraqiti sot, më 18 korrik 2016, në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, të Kuvendit të Shqipërisë, raportin mbi aktivitetin e institucionit gjatë vitit 2015 dhe zhvillimet e tregjeve financiare që mbikëqyren nga AMF. Në paraqitjen e raportit morën pjesë edhe Kryetari i Bordit të AMF-së Z. Pajtim Melani, si edhe drejtues të tjerë të lartë të Autoritetit.

Në fjalën e saj, Znj. Shehi theksoi se veprimtaria e AMF-së gjatë vitit 2015 u përqendrua në disa drejtime kryesore si:

-    Në aspektet e ristrukturimit të AMF, në kuadër të zbatimit të ligjit të ri të AMF me konfigurimin e Bordit të ri, miratimin e strukturës së re organizative dhe tabelës re të pagave dhe shpërblimeve;
-    Në përgatitjen e akteve nënligjore në zbatim të ligjit të ri të sigurimeve dhe risigurimeve si dhe në përshtatjen e rregulloreve në zbatim të ligjit të ri të AMF;
-    Në zbatimin e axhendës së projekteve të asistencës teknike të BB kryesisht në fushën e pensioneve dhe atë të sigurimeve;
-    Në plotësimin e rekomandimeve të FSAP-it të cilat shtrihen për të gjitha tregjet që mbikëqyr e rregullon AMF dhe i përkasin një periudhe afatmesme.

Drejtorja e Përgjithshme, Znj. Shehi nënvizoi  prirjen për zgjerim që patën gjatë vitit 2015 tregu i sigurimeve, letrave me vlerë, fondeve të investimeve dhe fondeve të pensioneve private vullnetare, si tregje financiare që mbikëqyren nga AMF. Sipas vlerësimeve, në vitin 2015 totali i aktiveve në këto tregje arriti në rreth 95.7 miliardë lekë (rreth 697 milionë euro), me një rritje prej 7% kundrejt vitit 2014. Për rrjedhojë, edhe pjesa e aktiveve gjithsej të këtyre tregjeve ndaj PBB-së për vitin 2015 arriti në nivelin më të lartë të vërejtur deri më sot, prej 6.7%.

Në raportim u evidentua edhe bashkëpunimi i AMF-së me organizmat financiarë ndërkombëtarë në realizmin e projekteve të rëndësishme për forcimin e aspekteve mbikëqyrëse dhe rregullative, administrimin e rreziqeve dhe stabilizimin e tregjeve.

Raportimi i sotëm kishte karakter prezantues mbi veprimtarinë e Autoritetit gjatë vitit 2015. Në një seancë të mëvonshme do të bëhet diskutimi dhe dhënia e përgjigjeve ndaj pyetjeve të shtruara nga deputetët në Komision.
 
Për të lexuar fjalën e plotë të mbajtur nga Znj. Enkeleda Shehi në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë, klikoni këtu.