25 Gusht 2016

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar - korrik 2016

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar - korrik 2016 kapën vlerën mbi 7,963 milionë lekë, ose 3.02% më shumë se në periudhën janar - korrik 2015. Gjatë periudhës janar - korrik 2016, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 585,882 me një ulje prej 2.97% krahasuar me periudhën janar - korrik 2015. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.10% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.54% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.36%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zunë 40.58% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zunë 59.42% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar - korrik 2016, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,389 milionë lekë, ose 36.79% më shumë se periudhën janar - korrik 2015.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, në periudhën janar - korrik 2016 arritën rreth 4,715 milionë lekë, ose 5.65% më shumë se në periudhën janar - korrik 2015.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar - korrik 2016, pati një rritje prej 2.98% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 3.89% krahasuar me periudhën janar - korrik 2015.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar - korrik 2016 pati një rritje prej 18.54% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 22.04% krahasuar me periudhën janar - korrik 2015.

Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar - korrik 2016, pati një rritje me 14.73% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar - korrik 2015. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 17.60%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, në periudhën janar - korrik 2016 arritën mbi 3,219 milionë lekë, ose 1.06% më pak se në periudhën janar - korrik 2015. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 12.77% krahasuar me periudhën janar - korrik 2015.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës në periudhën janar - korrik 2016, patën ulje me 0.23% kundrejt periudhës janar - korrik 2015.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive, të cilat gjatë periudhës janar - korrik 2016 siguruan mbi 1,444 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 71.03%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 20.20% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar - korrik 2016, vihet re një ulje prej 11.73% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 17.20% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar - korrik 2015.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar - korrik 2016, arritën në rreth 785 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 4.42% në krahasim me periudhën   janar -korrik 2015.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar - korrik 2016, arritën rreth 520 milionë lekë, ose 5.13% më pak se në periudhën janar - korrik  2015.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar - korrik 2016 u rritën me 36.79% krahasuar me periudhën janar - korrik 2015. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,470 milionë lekë, apo 61.52% të totalit të dëmeve të paguara bruto.



Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar - korrik 2016, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për muajin janar - korrik 2016 (në versionin EXCEL) klikoni këtu.