26 Gusht 2016

Mbi rritjen reale të normës së primit të shkruar bruto për sigurimin e detyrueshëm motorik

Nga të dhënat e raportuara në AMF, në Regjistrin Elektronik të Shitjeve të Sigurimit të Detyrueshëm Motorik, rezulton se tarifat e primit të sigurimit të policave të shitura pas datës  23.08.2016, kanë pësuar rritje.

Për të siguruar një informim sa më të plotë të qytetarëve, ju informojmë se rritja mesatare e primit të sigurimit për kategoritë e automjeteve (duke konsideruar edhe taksën mbi primin e shkruar bruto [1]) është në vlerën 20%.

Faktorët përcaktues të primit të sigurimit të Jo-Jetës janë: primi i rrezikut (pjesa e primit e llogaritur për pagimin e dëmeve), pjesa e llogaritur për mbulimin e shpenzimeve të marrjes në sigurim, shpenzimeve administrative përfshirë dhe komisionet, pjesa e llogaritur për fitimin e shoqërisë së sigurimit si dhe taksa mbi primin e sigurimit.

Bazuar në informacionin në dispozicion si edhe në përmbushje të misionit të tij rregullator, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duke i shërbyer mbrojtjes së konsumatorit është në ndjekje të situatës dhe po analizon mënyrën dhe procedurën e ndjekur nga shoqëritë e sigurimit në përcaktimin e tarifës së primit të sigurimit.

_______________________

[1] Rritja reale pa efektin e taksës mbi primin e shkruar bruto është 13%