7 Tetor 2014

Zhvillohet Konferenca e 39-të Vjetore e IOSCO

Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Letrave me Vlerë (International Organization of Securities Commissions, IOSCO) zhvilloi gjatë periudhës 29 shtator – 3 tetor 2014 në Brazil, Konferencën e 39-të Vjetore.  Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë, është anëtar me të drejta të plota në këtë organizatë.

Temat kryesore ku u fokusua Konferenca e 39-të vjetore e IOSCO-s ishin zbatueshmëria e kuadrit rregullator, qeverisja e korporatave, financimi afatgjatë në dobi të rritjes ekonomike dhe mbrojtja e edukimi i investitorëve si faktorë kryesorë në rritjen e besimit të investitorëve. Konferenca arriti në konkluzionin se rregullatorët po ecin drejt ndërtimit të tregjeve financiare të mirërregulluar me synimin për të ndikuar në rritjen e qëndrueshme afatgjatë të ekonomisë në mbarë globin. Tregjet e letrave me vlerë janë bërë një burim financimi i rëndësishëm për nxitjen e rritjes ekonomike globale.

Kryetari i Bordit të IOSCO-s, Greg Medcraft theksoi ndër të tjera se “... tregjet që ne rregullojmë janë duke u bërë gjithnjë e më shumë burime të rëndësishme financimi për nxitjen e rritjes ekonomike globale. Axhenda jonë e punës vazhdon të jetë e lidhur me ndërtimin e besimit në tregjet globale të kapitalit të cilat janë të drejta, eficente, transparente dhe të lira nga rreziku sistemik.”

Mbledhja e Bordit të IOSCO-s, me përfaqësues nga rregullatorë të letrave me vlerë si nga tregjet e zhvilluara ashtu edhe nga ato në rritje e zhvillim, nxiti disa iniciativa të rëndësishme nga këndvështrimi i rregullatorëve të letrave me vlerë, për të ndihmuar në kthimin e besimit në tregjet e letrave me vlerë, përmes mbrojtjes së investitorëve në këto tregje, adresimit të rreziqeve sistemike, si edhe për të lejuar që tregjet të luajnë rolin e tyre në rritjen ekonomike. Këto iniciativa ndër të tjera përfshijnë:

•   Hapat për finalizimin e metodologjisë për identifikimin e institucioneve financiare jo-bankare dhe jo-sigurime, me rëndësi sistemike (NBNI SIFIs) në tregun e ndërmjetësimit dhe të menaxhimit të aseteve;
•  Bashkëpunimin me Komitetin e Bazelit për mbikëqyrjen bankare për të mbështetur zhvillimin e tregjeve të qëndrueshme të letrave me vlerë që mbështesin produktet bankare, si një burim i rëndësishëm i financimit të ekonomisë reale;
•    Forcimin e cilësisë së auditimit;
•    Ecurinë e mëtejshme drejt zhvillimit të regjimeve efektive të zbatueshmërisë;
•    Shqyrtimin e mundësisë që tregjet të luajnë rolin e tyre si burim financimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) dhe infrastrukturën;
•    Vazhdimin e punës për të zhvilluar një grup masash rregullatore lidhur me çështjet ndërkufitare;

Gjatë konferencës u diskutua për nismat ndërkufitare që adresojnë rreziqet kibernetike në tregjet financiare dhe përmirësimin e punës në identifikimin e këtyre rreziqeve.

Anëtarët e IOSCO-s ranë dakord që të vazhdojë puna në një variant të përmirësuar të Memorandumit Shumëpalësh të Mirëkuptimit (MMoU) për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit i cili do të zëvendësojë gradualisht atë aktual. MMoU aktuale, e cila filloi në vitin 2002 ka qenë e suksesshme në shkëmbimin e informacionit mes rregullatorëve në luftën e transaksioneve jo të ligjshme ndërkufitare. Përmirësimet e MMoU synojnë në rritjen e efektivitetit të shkëmbimit të informacionit në kushtet e përdorimit të teknologjisë dhe zhvillimeve të reja të tregut.

Komiteti i Tregjeve në Rritje dhe Zhvillim, me 90 anëtarë, në takimet e tij përforcoi rëndësinë rritjes së kapaciteteve të përbashkëta rregullatore, duke përfshirë edhe menaxhimin e rrezikut sistemik.

Bordi i IOSCO-s publikoi dy raporte kërkimore që mbështesin politikat e tij për rreziqet e emergjencës dhe financimin afatgjatë:

1. “Vështrim mbi rreziqet në tregjet e letrave me vlerë, 2014-2015”, i cili fokusohet në identifikimin e rreziqeve potenciale ne tregjet e letrave me vlerë.

2. “Zgjidhje mbi financimin afatgjatë të  ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) dhe infrastrukturën”, i cili përshkruan zgjidhje të reja dhe praktike për lehtësimin e rritjes së kapitalit për SME-të dhe infrastrukturën.

Në mbledhje u diskutuan edhe çështje organizative të komiteteve përkatëse dhe zgjedhja e anëtarëve të organeve drejtuese.