2 Nentor 2016

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare mbyll fazën e parë të projektit "Forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: Fokusi tek zhvillimi i tregut të kapitaleve”

Projekti "Forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: Fokusi tek zhvillimi i tregut të kapitaleve”, ka filluar në muajin Korrik të vitit 2016. Ky projekt mbështetet nga Banka Botërore dhe financohet nga një grant (Trust Fund Grant) me kontributin e Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO). Në përfundim të fazës së parë të këtij projekti, e cila mbyllet më 14 Nëntor 2016, Autoriteti po organizon dy workshop-e me qëllim prezantimin e gjetjeve dhe vlerësimit të tregut të kapitaleve në Shqipëri.

Sot më 2 nëntor 2016, u organizua workshop-i me specialistë dhe ekspertë të stafit të Autoritetit. Në prezantimin e rezultateve të fazës së parë merrnin pjesë drejtues të Autoritetit dhe drejtues të misionit të Ambasadës Zvicerane në Shqipëri. Gjatë fjalimit të hapjes, Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive, Znj. Enkeleda Shehi, theksoi rëndësinë e këtij projekti si ndër më të rëndësishmit që po zhvillon Autoriteti. Znj. Shehi e vlerësoi projektin për rolin e tij në forcimin e kapaciteteve të Autoritetit, për të mbikëqyrur sektorin e fondeve të investimeve, si dhe në mbështetjen e emetimit të letrave me vlerë të korporatave dhe qeverive lokale. Ndër të tjera, Znj. Shehi theksoi se “Shqipëria përjetoi një zhvillim të shpejtë të sektorit të fondeve të investimeve. Më 30 Qershor 2016, pesha e këtij sektori, ndaj PBB-së ishte rreth 5.0%, duke e klasifikuar këtë sektor në sistemin financiar në tërësi, si tregun e dytë më të rëndësishëm pas tregut bankar, nga pikëpamja e aseteve”.

Duke përshëndetur workshop-in Z. Philipp Keller, Zëvendës Shef i Misionit të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, e vlerësoi këtë si një moment kyç për projektin dhe kurorëzim të rezultateve dhe përpjekjeve, si nga Autoriteti, ashtu edhe nga grupi i ekspertëve.

Ekspertët e projektit, Znj. Sally Buxton dhe Z. Mark St. Giles bënë një përshkrim të gjetjeve dhe vlerësimit të tregut, sfidat me të cilat përballet Autoriteti në rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregut të kapitaleve, si edhe vlerësimin e modeleve të ndryshme për rregullimin e tregut. Gjatë workshop-it pati pyetje dhe diskutime për tematika specifike që lidhen me rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregut të fondeve të investimit.
Ditën e premte, më datë 4 nëntor, Autoriteti do të organizojë një workshop tjetër me drejtues ekzekutivë të tregut, si edhe me grupet e interesit, për të prezantuar rezultatet e fazës së parë të këtij projekti.

Për të lexuar fjalën përshëndetëse të Drejtores së Përgjithshme Ekzekutive, Znj. Enkeleda Shehi klikoni këtu.