4 Nentor 2016

Workshop me përfaqësues të tregut të kapitaleve në vend, në përfundim të fazës së parë të projektit "Forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: Fokusi tek zhvillimi i tregut të kapitaleve"

Sot më 4 nëntor në ambientet e hotel Rogner u organizua një workshop i zgjeruar me përfaqësues të tregut të kapitaleve në vend. Workshopi përkon me mbylljen e fazës së parë të projektit “Forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: Fokusi tek zhvillimi i tregut të kapitaleve”. Pjesëmarrës në këtë workshop ishin përfaqësues të shoqërive që operojnë në tregun e fondeve të investimeve, fondeve të pensionit, bankave depozitare të aseteve të këtyre fondeve, Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë si edhe Bankës Botërore si mbështetëse e këtij projekti.

Gjatë fjalës së hapjes, Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive, Znj. Enkeleda Shehi, prezantoi ecurinë e tregjeve të kapitaleve, dinamikën e shpejtë të rritjes së tregut të fondeve të investimeve si edhe zgjerimin e tregut të fondeve të pensioneve. Znj. Shehi theksoi ndryshimet e rëndësishme strukturore, që ka kaluar tregu i fondeve të investimeve duke përbërë kështu një hap pozitiv përpara, drejt zhvillimit të tregut të kapitaleve në Shqipëri dhe mbështetjes së tregut financiar në përgjithësi. Duke vënë theksin tek kuadri ligjor që rregullon tregjet nën mbikëqyrjen e AMF-së, Znj. Shehi theksoi rëndësinë e ndryshimeve të miratuara në ligjin “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” si edhe saktësimin e kompetencave të Autoritetit për të vendosur rregulla për kuadrin e administrimit të riskut, në funksion të mbrojtjes së interesit të investitorëve. Znj Shehi, duke parashtruar edhe sfidat e së ardhmes në rregullimin e këtyre tregjeve, vlerësoi projektin dhe ekspertizën e huaj si një mundësi për t’i paraprirë zhvillimeve në Shqipëri.

Ekspertët “Cadogan Financial” që asistojnë AMF-në në realizimin e këtij projekti, Znj. Sally Buxton dhe Z. Mark St. Giles bënë një përshkrim të gjetjeve dhe prezantuan rezultatet e fazës së parë të projektit që përfundon në 14 nëntor 2016. Ata theksuan hartimin e një strategjie afatmesme, një harte veprimi për rregullimin në vazhdimësi të këtyre tregjeve dhe përballjen me sfidat e së ardhmes. Krahas vlerësimeve të tjera të tyre, ekspertët nënvizuan se mungesa e tregut dytësor e bën të pamundur vlerësimin sipas tregut “market to market” dhe ofruan si alternativë metodën “market to model”.

Në vazhdim të workshop-it u zhvilluan pyetje dhe diskutime sidomos nga përfaqësuesit e fondeve të investimeve. Ndërmjet të tjerave u diskutua në lidhje me gatishmërinë e  shoqërive të ndryshme tregtare në Shqipëri për tu përfshirë në tregun e kapitaleve duke bërë oferta publike.

Për të lexuar fjalën përshëndetëse të Drejtores së Përgjithshme Ekzekutive, Znj. Enkeleda Shehi klikoni këtu.