25 Nentor 2016

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar - tetor 2016

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar - tetor 2016 kapën vlerën rreth 12,007 milionë lekë, ose 8.10% më shumë se në periudhën janar - tetor 2015. Gjatë periudhës janar - tetor 2016, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 903,881 me një rritje prej 0.57% krahasuar me periudhën janar - tetor 2015. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.58% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.13% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.29%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zunë 37.51% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zunë 62.49% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar - tetor 2016, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 3,493 milionë lekë, ose 32.59% më shumë se periudhën janar - tetor 2015.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, në periudhën janar - tetor 2016 arritën rreth 7,481 milionë lekë, ose 10.16% më shumë se në periudhën janar - tetor 2015.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar - tetor 2016, pati një rritje prej 8.49% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 4.49% krahasuar me periudhën janar - tetor 2015.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar - tetor 2016 pati një rritje prej 22.17% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 24.71% krahasuar me periudhën janar - tetor 2015.

Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar - tetor 2016, pati një rritje me 13.14% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar - tetor 2015. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 16.61%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, në periudhën janar - tetor 2016 arritën mbi 4,491 milionë lekë, ose 4.36% më shumë se në periudhën janar - tetor 2015. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 8.04% krahasuar me periudhën janar - tetor 2015.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës në periudhën janar - tetor 2016, patën rritje me 6.05% kundrejt periudhës janar - tetor 2015.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive, të cilat gjatë periudhës janar - tetor 2016 siguruan rreth 2,098 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 72.47%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 18.19% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar - tetor 2016, vihet re një ulje prej 8.33% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 14.70% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar - tetor 2015.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar - tetor 2016, arritën në rreth 963 milionë lekë, duke shënuar ulje prej 1.07% në krahasim me periudhën   janar - tetor 2015.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar - tetor 2016, arritën mbi 736 milionë lekë, ose 3.45% më pak se në periudhën janar - tetor  2015.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar - tetor 2016 u rritën me 32.59% krahasuar me periudhën janar - tetor 2015. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me mbi 2,215 milionë lekë, apo 63.42% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

Lloji i sigurimit

Vlera (në mijë lekë)

Ndryshimi

(në %)

janar - tetor

2015

2016

16/`15-1

 Dëmi Mesatar

MTPL e brendshme

222

269

20.78

Kartoni jeshil

509

582

14.29

 Kasko

77

91

18.35

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar - tetor 2016, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për muajin janar - tetor 2016 (në versionin EXCEL) klikoni këtu.