19 Dhjetor 2016

Njoftim për Publikun në lidhje me kontributin e AMF për të siguruar konkurrencën e lirë në tregun e sigurimeve

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), duke marrë shkas nga disa shkrime të ditëve të fundit në lidhje me të ashtuquajturat “ndërhyrje të Autoritetit të Konkurrencës për të zgjidhur çështje të tregut të sigurimeve”, sqaron se:

AMF ka patur komunikim të vazhdueshëm me Autoritetin e Konkurrencës për çështje të tregut të sigurimeve. Të gjitha rekomandimet që ky Autoritet ka bërë për AMF, janë ndjekur dhe zgjidhur sipas problematikës. Çështjet që lidhen me konkurrencën midis shoqërive të sigurimit janë trajtuar në vazhdimësi nga ana e AMF-së, por çështjet specifike duhet të zgjidhen nga institucioni përgjegjës, që është Autoriteti i Konkurrencës.

Në komunikimin gjatë muajit Tetor 2016, AMF ka njoftuar me shkrim Autoritetin e Konkurrencës për të gjitha hapat e ndërmarra, dhe konkretisht për caktimin e primeve TPL dhe rritjen e tyre, masat e marra nga AMF në momentin e rritjes së primeve TPL, sistemin Bonus/Malus, ndryshimet në ligjin e sigurimit të detyrueshëm, dhe shumë çështje të tjera që i përkasin bashkëpunimit institucional.

Gjithashtu në komunikimin me Autoritetin e Konkurencës gjatë muajit dhjetor të këtij viti, AMF ka dhënë sqarimet e nevojshme në lidhje me trajtimin e dëmit nga siguruesi i drejtëpërdrejtë dhe ecurinë e sistemit Bonus/Malus.

Në këto kushte konsiderohen të padrejta shkrimet e fundit në disa media, të cilat në rradhë të parë disinformojnë publikun, dhe në rradhë të dytë shtrembërojnë punën e AMF.

Për informim të publikut, AMF bën me dije se kjo çështje do të diskutohet në mbledhjen e Bordit të datës 27 Dhjetor 2016.