22 Dhjetor 2016

Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, zhvillon takimin e fundvitit me përfaqësues të tregjeve të mbikëqyrura dhe të mediave

Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Znj. Enkeleda Shehi, zhvilloi më datë 22 dhjetor 2016 takimin e fundvitit, me drejtues të shoqërive të mbikëqyrura nga AMF, që veprojnë në tregun e sigurimeve, të fondeve të pensioneve vullnetare, letrave me vlerë dhe fondeve të investimeve, si dhe me përfaqësues të medias.

Znj. Shehi në fjalën e saj vlerësoi punën e bërë gjatë vitit 2016 nga shoqëritë e sigurimeve, fondeve të pensioneve dhe fondeve të investimeve, si në drejtim të rritjes së këtyre tregjeve, ashtu edhe në drejtim të përmirësimit të standardeve dhe parimeve të mirëqeverisjes.

Znj. Shehi vuri theksin në sfidat dhe projektet e vitit 2017 për t’i shërbyer rritjes dhe qëndrueshmërisë në tregjet financiare. Rëndësi i kushtoi në fjalën e saj, edhe nevojës në punën e përbashkët, për edukimin e konsumatorit dhe publikut në përgjithësi, në drejtim të njohjes së tregjeve financiare, të kuptimit të riskut që i shoqëron investimet në këto tregje, në drejtim të shpjegimit të mundësive që ofrohen për të qenë pjesëmarrës dhe investitor në një fond investimi, për të qenë i siguruar dhe transferuar riskun që shoqëron veprimtarinë, jetën apo pronën, apo për të përfituar një pension më të mirë nesër.

Znj. Shehi theksoi se AMF krahas prezencës në media, po kryen aktivitete konkrete në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, për një edukim financiar të brezit të ri.

Znj. Shehi falenderoi median për pasqyrimin në vijimësi të çështjeve të tregjeve financiare dhe aktiviteteve të AMF-së, dhe kërkoi thellimin e bashkëpunimit për të gjetur më shumë hapësira në media, për t’i shërbyer më shumë edukimit të konsumatorit, si një element shumë i rëndësishëm për t’i mirëinformuar dhe orientuar ata sa më drejt.

Për të lexuar fjalën e plotë të Drejtores së Përgjithshme Ekzekutive, ju lutem klikoni këtu.