24 Tetor 2014

Zhvillimet e Tregut me Pakicë të Letrave me Vlerë të Qeverisë për periudhën janar-shtator 2014

Volumi i tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë gjatë periudhës janar-shtator 2014 u dominua në masën 78.96% nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe pjesa tjetër prej 21.04% ishin instrumente afatgjatë (obligacione). Përsa i takon numrit të transaksioneve, 93.34% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera me bono thesari.

Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë gjatë periudhës janar-shtator 2014 flasin për një dominim të transaksioneve "Blerje në tregun primar" dhe "Shlyerje e vlerës nominale në maturim" përkatësisht me 62.06% dhe 21.59% kundrejt volumit të përgjithshëm.

Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë rreth 97.57% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.

Dy grupet e transaksioneve B dhe C

Transaksioni i llojit B "Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar" gjatë periudhës janar-shtator 2014, ka pasur një rritje prej 912 milionë lekë ose 20.51%, krahasuar me periudhën janar-shtator 2013,  ndërsa është ulur numri i transaksioneve në masën 7.84%.

Transaksioni i llojit C "Blerje nga individët para afatit të maturimit" gjatë periudhës janar-shtator 2014 ka pasur një rritje prej 105 milionë lekë ose 4.89% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, ndërsa numri i transaksioneve është rritur  në masën 0.72%.

Krahasuar me periudhën janar-shtator 2013, vihet re një rritje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku me rreth 1,018 milionë lekë.


Për të lexuar materialin e plotë të Tregut me Pakicë të Letrave me Vlerë, janar-shtator 2014 (në versionin EXCEL), ju lutem klikoni këtu.