23 Dhjetor 2016

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) nënshkroi sot, në datë 23 dhjetor 2016, një marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, AMF u përfaqësua nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Znj. Enkeleda Shehi, ndërsa Fakulteti i Ekonomisë nga Zv. Dekani Z. Alban Korbi.

Kjo marrëveshje synon zhvillimin e bashkëpunimit dhe partneritetit dypalësh në kuadër të shkëmbimit të informacionit, kërkimit shkencor, përmirësimit dhe pasurimit të përmbajtjes së programeve të studimit, praktikave studentore dhe përgatitjes sa më cilësore dhe profesionale të studentëve.

Në fjalën përshëndetëse, Znj. Shehi theksoi bashkëpunimin e mirë që ekziston mes dy institucioneve, vlerësoi mbështetjen dhe ndihmën e dhënë nga Dekani i Fakultetit Prof. Dhori Kule për finalizimin e kësaj marrëveshjeje si dhe pasqyroi fushat e mundshme të bashkëpunimit. 

Në kuadër të nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me Fakultetin e  Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, në ambientet e këtij fakulteti organizoi aktivitetin, “Dita Shqiptare e Sigurimeve”. Kjo është një nismë e re e Autoritetit për edukimin e brezit të ri lidhur me tregjet nën mbikëqyrje. Në një leksion të hapur me temë “AMF Mbikëqyr dhe Rregullon”, Znj. Enkeleda Shehi prezantoi për studentët rolin e AMF-së si mbikëqyrës dhe rregullator i tregjeve financiare jobankare dhe misionin e tij lidhur me mbrojtjen e konsumatorëve, sigurimin e respektimit të ligjit dhe nxitjen e transparencës dhe besueshmërisë së tregjeve financiare nën mbikëqyrje. Në leksionin e mbajtur Znj. Shehi bëri një paraqitje të detajuar të tregut shqiptar të sigurimeve duke paraqitur treguesit kryesorë financiarë të këtij tregu si dhe sfidat me të cilat përballet AMF.

Në përfundim të leksionit Znj. Shehi u shpreh e gatshme t’i përgjigjej pyetjeve të studentëve.

Gjithashtu në ambientet e Fakultetit Ekonomik qëndroi e hapur një stendë informuese për veprimtarinë e Autoritetit  dhe tregjeve nën mbikëqyrje. 

Për më shumë informacion kontaktoni [email protected]