24 Tetor 2014

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-shtator 2014

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-shtator 2014 kapën vlerën 8,585 milionë lekë, ose 45.21% më shumë se në periudhën janar-shtator 2013. Gjatë periudhës janar-shtator 2014, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 757,913 me një rritje prej 0.07% krahasuar me periudhën janar-shtator të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 90.83% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 8.85% dhe veprimtarinë e Risigurimit me 0.32%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 41.26% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 58.74% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-shtator 2014, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në mbi 2,000 milionë lekë, ose 1.40% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2013.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-shtator 2014 arritën mbi 5,027 milionë lekë, ose rreth 86.18% më shumë se periudha janar-shtator 2013.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-shtator 2014, pati një rritje prej 97.31% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me rritje të numrit të kontratave prej 1.37% krahasuar me periudhën janar-shtator 2013.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-shtator 2014 pati një rritje prej 67.69% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me rritjen e numrit të kontratave prej 1.43% krahasuar me periudhën janar-shtator 2013.

Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-shtator 2014 pati një rritje me 58.20% të volumit të primeve të shkruara bruto, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa numri i kontratave u ul me 7.56%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-shtator 2014 arritën rreth 3,530 milionë lekë, ose 10.61% më shumë se në periudhën janar-shtator 2013. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 0.32% krahasuar me periudhën janar-shtator të një viti më parë.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-shtator 2014, patën rritje me rreth 11.07%  kundrejt periudhës janar-shtator 2013.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-shtator 2014, siguruan rreth 1,744 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë, me rreth 69.72% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 17.93% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-shtator 2014, vihet re një rritje prej 28.88% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli. Kjo u shoqërua nga rritja me 2.07% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-shtator të viti 2013.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-shtator 2014, arritën në rreth 607 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 17.89% në krahasim me periudhën janar-shtator 2013.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-shtator 2014, arritën rreth 760 milionë lekë, ose rreth 8.96% më shumë se në periudhën janar-shtator të vitit të kaluar.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-shtator 2014 u rritën me rreth 1.40% krahasuar me periudhën janar-shtator të vitit 2013. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,662 milionë lekë, apo 83.08% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.



Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-shtator 2014, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar-shtator 2014 (në versionin EXCEL) klikoni këtu.