7 Shkurt 2017

AMF fillon fazën e dytë të projektit për zhvillimin dhe forcimin e tregut të kapitaleve

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare filloi implementimin e fazës së dytë të projektit “Forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: Fokusi tek zhvillimi i tregut të kapitaleve”. Ky projekt financohet nga Sekretariati i  Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe mbështetet nga Banka Botërore.

Faza e dytë e projektit e cila ka filluar në 30 janar 2017,  ka për fokus shqyrtimin dhe zhvillimin e legjislacionit dhe kuadrit mbikëqyrës për tregun e fondeve të investimeve dhe letrave me vlerë.

Kjo fazë e projektit synon:

  • Hartimin dhe zhvillimin e metodologjisë së mbikëqyrjes së tregut të fondeve të investimeve, duke përfshirë edhe përgatitjen e manualeve dhe mjeteve të tjera të nevojshme për mbikëqyrje;
  • Përgatitjen e amendimeve apo akteve të tjera ligjore që do të shoqërojnë metodologjinë e re mbikëqyrëse;
  • Përmirësimin e aftësisë për menaxhimin e skenarëve të krizave;
  • Rishikimin e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës për emetimin e obligacioneve të shoqërive dhe qeverive lokale, si edhe rekomandimin e ndryshimeve të nevojshme.
Gjatë muajit shkurt 2017, ekspertët e Cadogan Financial, kompanisë fituese për realizimin e kësaj faze të projektit, do të kryejnë  takime me stafin e AMF-së, përfaqësues të tregut si dhe palët e interesuara si Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave.

Kjo fazë e projektit do të zgjasë rreth 20 muaj dhe Autoriteti do të mbështetet në vazhdimësi nga ekipi i ekspertëve të huaj.

Për më shumë informacione, kontaktoni [email protected]