27 Tetor 2014

Zhvillohet Mbledhja e 21-të Vjetore e Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve

Shoqata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS) zhvilloi gjatë periudhës 20-25 tetor 2014 në Amsterdam, Holandë, Konferencën e 21-të Vjetore me temë “Rritja e mbrojtjes konsumatore dhe stabilitetit financiar përmes qeverisjes dhe administrimit të rrezikut”. Kjo mbledhje përkonte edhe me 20 vjetorin e IAIS, që sot ka rreth 210 anëtarë nga 150 juridiksione në vende të ndryshme të botës. Pjesëmarrës në këtë mbledhje vjetore ishin përfaqësues nga autoritetet mbikëqyrëse të sigurimeve, shoqëritë e sigurimeve, ekspertë dhe zyrtarë të lartë të organizatave ndërkombëtare.

Në fjalën përshëndetëse në mbledhjen vjetore, Sekretari i Përgjithshëm i IAIS si edhe Kryetari i Komitetit Ekzekutiv pasqyruan ecurinë ndër vite të shoqatës, rritjen e saj nga një grup i vogël fokusi kryesor i të cilit ishte mundësimi i bashkëpunimit mbikëqyrës dhe shkëmbimit të informacionit, në një trupë ndërkombëtare hartuese të standardeve të sigurimit, dhe pjesë integrale e rëndësishme e përpjekjeve për të siguruar stabilitetin financiar. Gjithashtu, ata theksuan vullnetin për të çuar përpara shoqatën në kërkim të sfidave të reja me të cilat anëtarët e IAIS mund të përballen gjatë 20 viteve të ardhshme, me diskutime të asaj se çfarë shoqëria dhe sistemit ekonomik mund të jetë në të ardhmen dhe me çfarë rreziku mund të përballet industria.

Ndër diskutimet kryesore të Konferencës Vjetore-2014 ishin:

•    Zhvillimet dhe sfidat në mbikëqyrjen e sigurimeve;
•    Standardet në kapitalin e shoqërive të sigurimit dhe kërkesat mbi kapitalin minimal fillestar;
•    Qasje të reja për qeverisjen e siguruesve;
•    Tregjet e kapitalit dhe modelet e biznesit në një mjedis sfidues të normave të interesit;
•    Rimëkëmbja, zgjidhet dhe bashkëpunimi mbikëqyrës.

Gjatë ditëve të zhvillimit të mbledhjeve të komiteteve të punës u diskutua synimi për përcaktimin e një raporti të drejtë midis rregullimit e mbikëqyrjes nga njëra anë dhe mbrojtjes së investitorëve e konsumatorëve nga ana tjetër.

Aktivitetet u siguruan të pranishmëve mundësi të vlefshme për shkëmbim të mendimeve, përvojave të ndryshme dhe për nxitjen e iniciativave të cilat do të ndihmojnë në forcimin e stabilitetit në sektorin e industrisë së sigurimit dhe shërbimeve financiare. 

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, si anëtar me të drejta të plota i kësaj organizate, u përfaqësua në këtë aktivitet nga një delegacion i nivelit të lartë.

Më shumë informacione dhe përmbledhje të diskutimeve të Konferencës Vjetore – 2014 mund të gjenden në faqen http://www.iais2014.org/