21 Shkurt 2017

Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, zhvillon takimin përshëndetës me studentët aktuarë

Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Znj. Enkeleda Shehi, zhvilloi sot, më datë 21 shkurt 2017, takimin përshëndetës me studentët aktuarë, të cilët janë duke zhvilluar modulin e fundit të programit afatgjatë për kualifikim profesional në sigurime, që pritet të përfundojë në prill 2017.  

Të ftuar në këtë takim ishin edhe: Z. Neil Hilary, përfaqësues i Institutit dhe Fakultetit të Aktuarëve, Londër; Z. Klaidi Citozi, Drejtor i Përgjithshëm dhe anëtar bordi i Shoqërisë së Sigurimit “Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group” sh.a., si dhe Z. Nexhat Miftari, Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes pranë Bankës Qendrore të Kosovës.

Znj. Shehi në fjalën e saj theksoi rëndësinë e profesionit të aktuarit, si dhe përgëzoi pjesëmarrësit për arritjen deri në këtë fazë të programit duke kaluar me sukses të gjitha provimet pararendëse, duke qenë shumë më pranë certifikimit të tyre si “Aktuar i Autorizuar”.

Ky program afatgjatë është i treti ndër vite që AMF organizon në bashkëpunim me Institutin dhe Fakultetin e Aktuarëve në Londër, si dhe Shoqatën Shqiptare të Aktuarëve.

Znj. Shehi vuri theksin në faktin se AMF, si Autoritet mbikëqyrës i profesionistëve të licencuar si aktuarë, ka mbështetur gjithnjë rrugën e nisur drejt formimit të profesionit të aktuarit në Shqipëri dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij.

Këtë takim e përshëndetën edhe Z. Neil Hilary, Z. Klaidi Citozi dhe Z. Nexhat Miftari duke theksuar edhe njëherë rëndësinë e këtij profesioni parë nga këndvështrime të ndryshme, si anëtarë të profesionit të aktuarit, drejtues të lartë të tregut të sigurimeve apo edhe nga perspektiva e mbikëqyrësit.

Znj. Shehi falenderoi veçanërisht Z. Neil Hilary dhe të gjithë lektorët e angazhuar në mësimdhënie, të cilët me kontributin e tyre bënë të mundur realizimin me sukses të këtij programi.

Për të lexuar fjalën e plotë të Drejtores së Përgjithshme Ekzekutive, ju lutem klikoni këtu.