17 Mars 2017

AMF organizon trajnimin e asistencës teknike dhe këmbimit të informacionit (TAIEX) të Komisionit Evropian

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në kuadër të aplikimit në instrumentin e asistencës teknike dhe këmbimit të informacionit (TAIEX) të Komisionit Evropian organizoi në datat 15–16 mars 2017 trajnimin në formën e misionit të ekspertëve (Expert Mission) për Sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Transportit. Ky aktivitet u organizua si bashkëpunim i Komisionit Evropian me IVASS (Autoriteti Italian i Sigurimeve).

Qëllimi i këtij trajnimi ishte shkëmbimi i njohurive dhe informacionit në fushën e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, duke u fokusuar në:

  - Funksionimin e sistemit Bonus Malus;
  - Funksionimin e Fondit të Garancisë;
  - Masat anti-mashtrim;
  - Shlyerjen dhe trajtimin i dëmshpërblimeve.

Misioni mundësoi edhe diskutimin e një sërë çështjeve dhe problematikave të hasura nga ekspertët dhe pjesëmarrësit në punën e tyre të përditshme mbikëqyrëse dhe rregullatore, si dhe në lidhje me zbatimin e rregullave të ndryshme për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.

Ekspertët e IVASS që morën pjesë në këtë aktivitet ishin Z. Antonio De Pascalis Drejtor i Departamentit të Kërkimit dhe i Menaxhimit të të Dhënave, Z. Massimo Amato Specialist në Sektorin e Anti-mashtrimit dhe Z. Lino Matarazzo, aktuar në Sektorin e Studimeve dhe Analizave Statistikore, me një eksperiencë shumë te gjatë në fushën e mbikëqyrjes së sigurimeve.