8 Maj 2017

Zhvillohet takimi i përvitshëm midis autoriteteve mbikëqyrëse të Shqipërisë dhe të Austrisë, AMF dhe FMA, për mbikëqyrjen e tregut të sigurimeve

Në vijim të bashkëpunimit për çështjet e mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve dhe fondeve të pensioneve private ndërmjet Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Autoritetit të Tregjeve Financiare të Austrisë (FMA), një delegacion nga ky institucion zhvilloi takime pune në Tiranë në datat 3 - 4 Maj 2017. Delegacioni kryesohej nga Z. Peter Braumüller, Drejtor Ekzekutiv në FMA, autoriteti përgjegjës për mbikëqyrjen e shoqërive të sigurimit dhe fondeve të pensionit në Austri.

Z. Braumüller, Drejtor Ekzekutiv në FMA, zhvilloi për gjatë dy ditëve takime pune me Z. Ervin Koçi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF dhe disa ekspertë të Autoritetit.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv pasi shprehu falenderimin për asistencën e vazhdueshme nga FMA shprehu angazhimin dhe nevojën për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

Gjatë takimeve u diskutua për çështje të rëndësishme të interesit të përbashkët si dhe u pasqyruan zhvillimet e fundit për tregjet e sigurimeve të Austrisë dhe Shqipërisë. Ndërmjet të tjerash, takimet u përqëndruan në zhvillimet e reja të tregut të sigurimeve gjatë implementimit të Solvency II në tregjet që mbikëqyren.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv tregoi nevojën e madhe që AMF ka për asistencë në fillimin e procesit të implementimit të Solvency II dhe trajnimin e personelit veçanërisht në drejtim të mbikëqyrjes së tregjeve. Një çështje me mjaft interes nga të dyja palët ishte dhe mundësia e organizimeve të inspektimeve të përbashkëta në shoqëritë me kapital austriak që operojnë në tregun shqiptar.

Përfaqësuesit austriakë u treguan të gatshëm që të asistojnë AMF në kërkesat e saj dhe u vendosën pika kontakti për të konkretizuar çdo kërkesë dhe shkëmbim informacioni.

Të dy institucionet kanë, që prej vitit 2009, një marrëveshje bashkëpunimi, e lidhur menjëherë pas investimeve të grupeve austriake të sigurimeve në Shqipëri, në kuadër të së cilës zhvillojnë takime periodike dypalëshe.