5 Maj 2017

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së zhvillon takimin me përfaqësues të tregjeve të mbikëqyrura

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së Z. Ervin Koçi zhvilloi në datat 2 dhe 3 maj 2017 takime me drejtues të subjekteve të mbikëqyrura nga AMF, që operojnë në tregun e sigurimeve, fondeve vullnetare të pensionit, bankave depozitare dhe përfaqësues të tjerë të tregjeve financiare jobankare.

Duke përshëndetur përfaqësuesit e shoqërive të sigurimit të mbikëqyrura, Z. Koçi evidentoi nevojën që AMF dhe shoqëritë të bashkëveprojnë që tregu i sigurimeve të bëhet sa më tërheqës për konsumatorin, duke zhvilluar produktet ekzistuese dhe duke krijuar produkte të reja. Përpjekja jonë e përbashkët, theksoi Z. Koçi, është që ta bëjmë tregun e sigurimeve të krahasueshëm me vendet e rajonit, në madhësinë dhe depërtimin e tij tek konsumatori, duke rritur në të njëjtën kohë besimin e tij në këto tregje. Ai theksoi edhe rëndësinë e përmirësimit të bazës ligjore për tregun e sigurimeve, duke kërkuar bashkëpunim të ngushtë me të gjitha shoqëritë e sigurimeve që operojnë në treg. Një aspekt tjetër mjaft i rëndësishëm që u theksua ishte puna e madhe që duhet bërë për të rritur nivelin e kulturës financiare të popullsisë, duke i shërbyer kështu zgjerimit të tregut.

Ajo që është shumë e rëndësishme dhe emergjencë për zgjidhje nga të gjithë ne, theksoi Z. Koçi, është shlyerja sa më e shpejtë e detyrimeve të prapambetura, objekt i Fondit të Kompensimit. Gjithashtu ai garantoi që brenda muajit nëntor do të përgatiten ndryshimet ligjore të kuadrit rregullator me qëllim që t’i shërbehet zhvillimit të tregjeve financiare.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv vuri theksin në shëndoshjen financiare të shoqërive nga njëra anë dhe kryerjen e pagesave në kohë të dëmeve për të gjithë të siguruarit.

Drejtuesit e shoqërive të sigurimit të Jetës dhe Jo-Jetës, të pranishëm në takim, shprehën problematikat që hasin në aktivitetin e përditshëm dhe kërkesën që baza ligjore e miratuar të pasqyrojë zhvillimet aktuale të tregjeve financiare nën mbikëqyrje. Ata theksuan nevojën e mbështetjes në promovimin e produkteve të reja të sigurimit, siç është rasti i sigurimit nga fatkeqësitë natyrore si një produkt i nevojshëm veçanërisht për popullsinë e atyre zonave që kanë një shkallë të lartë risku.

Në takimin me përfaqësuesit e shoqërive të tregut të pensioneve vullnetare dhe të fondit të investimeve Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv vlerësoi rëndësinë që ka fondi i pensioneve vullnetare, i cili siguron mundësi më të mira financiare në kohën e daljes në pension dhe shërben si një valvul lehtësuese për efektet sociale nga skemat e pensioneve shtetërore. 

Përfaqësuesit e fondeve të pensioneve u shprehën se ato janë duke forcuar pozitat e tyre në treg, por mbetet ende shumë punë për të bërë. Ndërkohë që ata shikojnë shumë të nevojshme miratimin e ndryshimeve ligjore të propozuara për lehtësimin e barrës fiskale për anëtarët e fondeve të pensioneve vullnetare.

Si një treg mjaft i rëndësishëm Z. Koçi vlerësoi dhe tregun e fondeve të investimeve dhe potencialin që ai ka për zgjerim. Ai vuri në dukje rëndësinë që ka rritja e kulturës financiare edhe për këtë treg.

Në përfundim të takimit, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi bëri me dije se Stafi i AMF-së ka filluar punën për hartimin e një strategjie pesë vjeçare për zhvillimin e tregjeve të sigurimeve dhe financiare në vend dhe kjo strategji do të përcaktojë rrugën ku do të ecet për zhvillimin e këtyre tregjeve dhe rolin e çdo aktori të këtij tregu. AMF po shfrytëzon në këtë kohë edhe bashkëpunimin me projektin e mbështetur nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) në lidhje me ndihmën që ata japin, si për anën legjislative, ashtu dhe atë organizative të AMF-së.

Në të njëjtën kohë Z. Koçi theksoi se është ngritur grupi i punës për ndërtimin e strategjisë tre vjeçare për ndërgjegjësimin publik dhe rritjen e besimit tek tregjet nën mbikëqyrjen e AMF-së.

Z. Koçi theksoi vullnetin e AMF-së për të bashkëpunuar ngushtësisht me shoqëritë e tregut, duke krijuar sinergjinë e nevojshme për përmbushjen e misionit të mbrojtjes së konsumatorit dhe investitorit në treg, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve.