25 Maj 2017

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-prill 2017

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-prill 2017 kapën vlerën mbi 4,747 milionë lekë, ose 13.88% më shumë se në periudhën janar-prill 2016. Gjatë periudhës janar-prill 2017, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 361,026 me një rritje prej 19.97% krahasuar me periudhën janar-prill 2016. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.73% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.26% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.01%.  Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 41.64% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 58.36% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-prill 2017, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 1,904 milionë lekë, ose 70.90% më shumë se në periudhën janar-prill 2016.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-prill 2017 arritën rreth 2,770 milionë lekë, ose 12.13% më shumë se në periudhën janar-prill 2016.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-prill 2017, pati një rritje prej 14.25% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 7.57% krahasuar me periudhën janar-prill 2016.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-prill 2017 pati një ulje prej 5.39% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 3.57% krahasuar me periudhën janar-prill 2016.

Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-prill 2017, pati një rritje me 5.81% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-prill 2016. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 2.04%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-prill 2017 arritën rreth 1,976 milionë lekë, 17.68% më shumë se në periudhën janar-prill 2016. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 34.67% krahasuar me periudhën janar-prill 2016.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-prill 2017, patën rritje me 15.75% kundrejt periudhës janar-prill 2016.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-prill 2017 siguruan mbi 939 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 72.65%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 19.67% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-prill 2017, vihet re një rritje prej 48.12% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një ulje me 17.13% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-prill 2016.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-prill 2017, arritën në rreth 437 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 3.64% në krahasim me periudhën janar-prill 2016.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-prill 2017, arritën rreth 345 milionë lekë, ose 27.77% më shumë se në periudhën janar-prill 2016.

 

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-prill 2017 u rritën me 70.90% krahasuar me periudhën janar-prill 2016. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,059 milionë lekë, apo 55.61% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

Lloji i sigurimit

Vlerat (në 000 lekë)

Ndryshimi

(në %)

Janar-Prill

2016

2017

17/`16-1

     Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

 220

 218

(0.76)

Karton Jeshil

 561

 1,323

135.80

Kasko

85

    103

20.83


Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-prill 2017, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për muajin janar-prill 2017 (në versionin EXCEL) klikoni këtu.