11 Korrik 2017

Takim i përbashkët i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare me Agjencinë e Mbikëqyrjes së Sigurimeve në Maqedoni (ISA)

Në datat 10–11 korrik 2017 Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi takime të përbashkëta pune me drejtues të lartë të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve të Maqedonisë (ISA), të përfaqësuar nga Z. Klime Poposki, President i Këshillit të Ekspertëve, dhe Z. Zoran Stojanovski e Z. Lulzim Imeri, anëtarë ekzekutivë të Këshillit të Ekspertëve në Agjencinë e Mbikëqyrjes së Sigurimeve në Maqedoni, ISA. Qëllimi i takimit ishte forcimi më tej i bashkëpunimit mes institucioneve, për një mbikëqyrje efektive dhe dinamike të tregut të sigurimeve në të dy vendet.

Gjatë takimit u paraqitën disa tregues të rezultateve të kompanive shqiptare të sigurimeve që veprojnë edhe në tregun e Maqedonisë, u diskutua lidhur me zhvillimet legjislative në të dyja vendet, me ecurinë e aktivitetit, rolin dhe përgjegjësitë e ndërmjetësve në sigurime që veprojnë në Shqipëri e në Maqedoni si edhe mbi mbikëqyrjen me bazë rreziku, me të cilën AMF po realizon inspektimet e saj në tregun e sigurimeve.

Në fjalën e tij të mirëseardhjes, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi, theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit midis dy rregullatorëve dhe më gjerë të mbikëqyrësve në rajon për tregun e sigurimeve. Z. Koçi theksoi se tregu i sigurimeve ka pasur zhvillime pozitive në Shqipëri në vitet e fundit. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së theksoi se autoritetet mbikëqyrëse në të dy vendet tona do të fillojnë të mendojnë më gjerë për harmonizimin e mekanizmave për mbikëqyrjen e grupeve, në përputhje me Parimet Bazë të Mbikëqyrjes dhe praktikat ndërkombëtare, si edhe të kenë një kuptim të përbashkët mbi zbatimin e standardeve ndërkombëtare.

Z. Klime Poposki, President i Këshillit të Ekspertëve të ISA-s e konsideroi bashkëpunimin midis dy institucioneve si shumë të rëndësishëm për mbikëqyrjen në sigurime dhe kjo jo thjesht për shoqëritë e sigurimeve që veprojnë në të dy tregjet. Ai nënvizoi se AMF dhe ISA si autoritete rregullatore të të dy vendeve po përballen me të njëjtat sfida të mbikëqyrjes, kanë në përdorim të njëjtën platformë elektronike raportimi, kanë të përbashkët përpjekjen për zbatimin e direktivave të Bashkimit Evropian në procesin e integrimit si edhe po zbatojnë projektin e përbashkët për mbrojtjen nga katastrofat natyrore me mbështetjen e Bankës Botërore. Ai vlerësoi shumë bashkëpunimin me AMF nëpërmjet inspektimeve të përbashkëta të realizuara nga të dy autoritet mbikëqyrëse të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Gjatë takimit u prezantua me shifra situata e dy tregjeve përkatëse dhe doli qartë potenciali që këto tregje mbartin për zhvillimet në të ardhmen. Në përfundim u ra dakord për hartmin e një plani të përbashkët pune për zhvillimin më tej të bashkëpunimit dypalësh.

Të dy autoritetet kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit që prej viti 2010.

Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]