13 Nentor 2014

AMF organizon workshop të përbashkët me përfaqësues nga Autoriteti i Shërbimeve Shtetërore të Mbikëqyrjes së Sigurimeve të Gjeorgjisë

Në datat 11-12 nëntor Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi workshopin "Mbikëqyrja dhe rregullimi i tregut të sigurimeve në Shqipëri" me përfaqësues nga Autoriteti i Shërbimeve Shtetërore të Mbikëqyrjes së Sigurimeve dhe Parlamenti i Gjeorgjisë, të cilët ndodhen për një vizitë pune në Tiranë. Ekipi nga Gjeorgjia kryesohej nga Z. Ioseb (Kakha) Gogolashvili, Nënkryetar i parë i këtij institucioni.

Organizimi i këtij workshopi u iniciua nga autoriteti i Gjeorgjisë me synimin për të marrë eksperiencën shqiptare në drejtim të mbikëqyrjes dhe rregullimit të tregut të sigurimeve, më specifikisht zhvillimet në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik. Ekspertët e AMF-së në këtë workshop prezantuan tek specialistët e autoritetit të Gjeorgjisë sfidat në mbikëqyrjen dhe rregullimin e tregut të sigurimeve dhe zhvillimet e fundit që AMF po ndërmerr, bazuar në eksperiencën dhe zgjidhjet praktike, të mbështetura edhe në rekomandimet e organizmave ndërkombëtare për këtë treg.

Duke përshëndetur workshopin, Kryetarja e AMF-së znj. Enkeleda Shehi, bëri një përshkrim të shkurtër të tregjeve që AMF mbikëqyr dhe peshës që ato zënë në tregun financiar të vendit. Ajo nënvizoi dhe zhvillimet e fundit legjislative, ndryshimet në ligjin për AMF dhe aprovimin e ligjit për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit. Ajo i vlerësoi këto si zhvillime pozitive, të mirëpritura, që do të forcojnë më tej AMF nga pikëpamja institucionale dhe do të rrisin rolin e saj mbikëqyrës e rregullator në fushën e sigurimeve, duke ecur drejt mbikëqyrjes me fokus rrezikun.

Z. Ioseb (Kakha) Gogolashvili prezantoi zhvillimet më të fundit të tregut të sigurimeve në Gjeorgji. Ai shpjegoi ecurinë institucionale të tyre që prej vitit 1997 me hyrjen ne fuqi të ligjit të parë të sigurimeve, përpjekjet për rritjen dhe zhvillimin e tregut të sigurimeve në vend dhe punën që po bëjnë për prezantimin e ligjit të ri për sigurimet motorike.

Gjatë workshopit, ekspertë të AMF-së prezantuan hapat dhe ecurinë institucionale të autoritetit si edhe përpjekjet për rritjen e konsolidimin e pavarësisë institucionale si një bazë e rëndësishme për veprimtari të suksesshme mbikëqyrëse dhe rregullatore.

Çështje të tjera që u trajtuan si mjaft të rëndësishme për zhvillimin e tregut të sigurimeve ishin: 

  • Sigurimi motorik përmes shifrave, fakteve dhe sfidave me të cilat ai përballet;
  • Qendra kombëtare e të dhënave të sigurimit të detyrueshëm motorik, regjistri elektronik online i shitjeve dhe i dëmeve;
  • Aspektet aktuariale në përllogaritjen e primeve dhe sistemi Bonus-Malus;
  • Byroja Shqiptare e Sigurimeve, aktiviteti i saj në mbrojtjen e konsumatorëve dhe Fondi i Kompensimit;
  • Analiza financiare e treguesve të shoqërive të sigurimit, metodologjia e përdorur dhe treguesit e paralajmërimit të hershëm;
  • Inspektimi në vend i shoqërive të sigurimit, objektivat dhe metodologjia;
  • Roli i audituesve të brendshëm pranë shoqërive të sigurimit;
  • Elemente të konkurrencës në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik.

Ish komisionerja e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Bankave dhe Sigurimeve të shtetit të New Jersey, SHBA, me përvojë të gjatë në tregun e sigurimeve, znj. Holly Bakke, e pranishme gjithashtu në workshop, prezantoi mënyrat e komunikimit me publikun për ndryshimet dhe procesin e liberalizimit të çmimeve për sigurim motorik.

Organizimi i këtij workshopi, përtej sfidave të vazhdueshme me të cilat tregu i sigurimeve të detyrueshme në vend përballet, e vendosin AMF në një rol të ri si model pozitiv i zhvillimit institucional, i fuqizimit të rolit mbikëqyrës dhe rregullator, duke ndarë eksperiencën me autoritetet e tjera homologe, të cilat përballen me sfida të ngjashme.

Vizita dhe workshopi do të shërbejnë si hapa të parë për forcimin e marrëdhënieve midis dy institucioneve në drejtim të shkëmbimit të ideve dhe eksperiencave në interes të përbashkët.

Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]