18 Korrik 2017

Drejtues të AMF-së në takime pune me përfaqësues të shoqatave, instituteve kombëtare dhe rregullatore të tregjeve financiare në Itali si IVASS dhe CONSOB

Me ftesë të Institutit për Mbikëqyrjen e Sigurimeve të Italisë, (Instituto per la Vigilanca sulle Assicurazzioni, IVASS), Z. Ervin Koçi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së dhe drejtues të departamenteve të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare morën pjesë në Konferencën me temë “Kërkimet në tregun e sigurimeve” (Conference on Insurance Research), në datat 13-14 korrik 2017, në Romë, Itali.

Në konferencë pati prezantime lidhur me përvojat më të mira në mbikëqyrjen e tregut të sigurimeve, u shkëmbye informacion mbi bazën rregullative në tregun e sigurimeve, mbikëqyrjen me bazë risku dhe zbatimin e Solvency II, direktivë e cila solli një ndryshim shumë të madh në aspektin financiar, organizativ, ligjor dhe operacional në industrinë e sigurimeve si dhe për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit. Gjatë seancave të konferencës pati edhe prezantime lidhur me tema të tjera si:

  • Pse mbikëqyrja dhe rregullimi në sigurime janë të rëndësishme për investimet afatgjata dhe rritjen ekonomike;
  • Çështje specifike të marrjes në sigurim, parametrat e Solvency II;
  • Modelet e ndryshme për menaxhimin e riskut;
  • Konkurenca dhe Shëndeti Financiar në tregun e sigurimeve të Jo-Jetës;
  • Pronësia dhe mirëqeverisja në industrinë e sigurimeve, etj.
Një nga tematikat më të rëndësishme të diskutuara në takim lidhej me sigurimin e detyrueshëm motorik dhe atë nga katastrofat natyrore. Mjaft nga prezantimet lidheshin me përvojat e ndryshme për këto dy grupe sigurimesh dhe studimet e zhvilluara nga universitete të ndryshme në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë ditëve të konferencës z. Ervin Koçi pati edhe takime në zyrat e Institutit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve të Italisë, me z. Riccardo Cesari anëtar i bordit të drejtorëve. Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së pati takim të nivelit të lartë me zyrtarë të Komisionit Kombëtar për Shoqëritë dhe Bursën (Commissione Nacionale per la Societa e la Borsa, CONSOB). Në këto takime u diskutua mbi forcimin e marrëdhënieve midis rregullatorëve nëpërmjet asistencës teknike, trajnimeve si dhe nënshkrimit të marrëveshjeve dy palëshe.

Në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian për sigurimin motorik, këto takime ndihmuan në njohjen më të mirë të bazës rregullatore evropiane që do të shërbejë në hartimin e akteve nënligjore të përshtatshme me direktivat evropiane, sistemin e tarifimit dhe përcaktimin e procedurave për zgjidhjen e dëmeve sipas standardeve të BE-së.