25 Tetor 2017

AMF, leksion me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi ditën e mërkurë, më datë 25 tetor 2017, ora 11:00, një leksion të hapur me studentët e Fakultetit të Biznesit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të “Strategjisë për rritjen e besimit të konsumatorit/investitorit në tregjet financiare nën mbikëqyrje” dhe ka si qëllim kryesor rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit financiar të studentëve për rolin e AMF-së si mbikëqyrës dhe rregullator. Gjatë aktivitetit u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu” nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi dhe dekania e Fakultetit të Biznesit, Znj. Azeta Tartaraj.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Z. Koçi theksoi se edukimi financiar në lidhje me tregjet nën mbikëqyrjen e AMF-së, për të rritur njohuritë dhe ndërgjegjësimin për shërbimet që ofrohen është shndërruar në një nga prioritetet e punës së Autoritetit. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së tha se “iniciativa për të rritur edukimin financiar, e cila filloi me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, do të shtrihet më gjerë, për të përcjellë informacione të kuptueshme për të gjithë publikun, në mënyrë që në një të ardhme të afërt, produktet financiare, si sigurimet, fondet vullnetare të pensioneve, apo fondet e investimit të mos jenë më detyrime për t’u përmbushur apo mekanizma financiarë të largët, por të shndërrohen në pjesë të jetës sonë ekonomike”.

Gjatë aktivitetit, studentëve iu është shpërndarë një pyetësor, si pjesë e një fushate anketimesh, e nisur nga AMF për të identifikuar njohuritë dhe adresuar më mirë kërkesat e të rinjve për edukim financiar në lidhje me tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit. Me qëllim rritjen e edukimit financiar dhe mbrojtjen e konsumatorit, AMF ka krijuar një drejtori të posaçme si pjesë e strukturës së re, ndërsa ka nisur edhe zbatimin e strategjisë për rritjen e besimit të konsumatorit.