8 Nentor 2017

AMF dhe Universiteti Mesdhetar në Tiranë bashkëpunojnë për të rritur edukimin financiar tek studentët

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi sot një takim informues me studentët e Fakultetit të Shkencave Ekonomike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, në vijim të zbatimit të Strategjisë për “Rritjen e besimit të konsumatorit/investitorit në tregjet financiare nën mbikëqyrje”. Aktiviteti synoi rritjen e njohurive dhe edukimin financiar të të rinjve për Autoritetin, fushën e tij të veprimtarisë dhe tregjet financiare nën mbikëqyrje. Gjatë aktivitetit u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi dhe Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Z. Nexhmi Dumani, në prani të presidentit të UMSH-së, Prof. Dr. Anastas Angjeli.

Në fjalën e rastit, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi theksoi se “Autoriteti ka marrë një iniciativë për të rritur edukimin financiar duke e nisur këtë me studentët si një nga target grupet më të rëndësishme në zhvillimin e vendit. Qëllimi ynë është që të rinjtë të njohin Autoritetin, tregjet që ai mbikëqyr, në mënyrë që më pas t’i përdorin njohuritë e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të vendit, duke qënë aktorë të rëndësishëm të tregjeve financiare.”

Nga ana e tij, presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Z. Anastas Angjeli theksoi se “marrëveshja do të shërbejë jo thjesht për të shkëmbyer eksperienca, por edhe për të përfituar praktikë mësimore nga studentët pranë AMF-së.” Sipas tij, “marrëveshja ka në thelb shkëmbimin e informacionit, zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta, konferencave, për rolin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të sjellë përfitime reciproke, si për stafin e universitetit, studentët dhe pedagogët, ashtu edhe për vetë Autoritetin me qëllim rritjen e informacionit financiar”.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese që AMF ka nisur për edukimin financiar në lidhje me tregjet nën mbikëqyrje, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe informacionit në funksion të mbrojtjes më të mirë të konsumatorit, por edhe zhvillimit të mëtejshëm të këtyre tregjeve.