16 Nentor 2017

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare paralajmëron për rrezikun e investimit në emetimet e monedhave virtuale me ofertë fillestare ose të ashtuquajturat ICO

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare paralajmëron investitorët të tregojnë kujdes në lidhje me investimet në emetimet e Monedhave Virtuale me Ofertë Fillestare ose të ashtuquajturat Initial Coin Offerings, ICOs !

Kohët e fundit, në nivel evropian dhe global, shumë kompani po mbledhin para nga publiku duke përdorur një mekanizëm të ri, emetimin e Monedhave Virtuale me Ofertë Fillestare ose të ashtuquajturat ICO. Sipas këtij mekanizmi apo kësaj alternative të re të financimit të biznesit, kryesisht të projekteve të reja, investitorët në këmbim të parave, ose në këmbim të monedhave virtuale të tjera si për shembull Bitcoin dhe Ether, marrin nga kompanitë emetuese një monedhë virtuale, që mund të njihet si “token”, e specifikuar nga kompania apo projekti përkatës dhe që përfaqëson pjesëmarrje në të ardhurat e kompanisë që nuk janë realizuar akoma.

Emetimi i monedhave virtuale me ofertë fillestare ICO, si rregull nuk është subjekt i ndonjë forme rregullimi dhe, rrjedhimisht, nuk është subjekt mbikëqyrje. Në këto kushte, investitori nuk gëzon të njëjtin nivel mbrojtjeje sikurse në rastin e produkteve financiare të ofruara nga subjekte të licencuara dhe të mbikëqyrura.

Emetimi i titujve, si mënyrë për të rritur burimet e financimit për biznesin, qoftë nëpërmjet ofertës fillestare publike, IPO apo ofertës private rregullohet nga Ligji nr.9879 datë 21.2.2008 “Për Titujt”, si dhe aktet nënligjore të nxjerra nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tërheq vëmendjen e investitorëve që mund të investojnë në ICO jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për rreziqet e mundshme që mund të mbartë investimi në një ICO.

Pse duhet të bëni kujdes në lidhje me investimet në monedhat virtuale me ofertë fillestare (ICO)

  • Investimi në një monedhë virtuale me ofertë fillestare, ICO mund të rezultojë si investim në një skemë mashtruese dhe si e tillë ju mund të humbisni të gjitha paratë;
  • Firmat të cilat po emetojnë aktualisht Monedha Virtuale me Oferte Fillestare, ICO janë kryesisht firma që sapo kanë filluar biznesin e tyre (Startups) dhe si të tilla mund të rezultojnë të pasuksesshme;
  • Investimi ka rrezik të lartë likuiditeti, pasi investitorët që blejnë monedhën “Token” mund të mos kenë mundësi ta shesin atë në rast se do të kenë nevojë për para;
  • Monedhat “Token” të blera nëpërmjet ICO kanë luhatje të forta të çmimit;
  • Emetimet e monedhave virtuale me ofertë fillestare mund të shërbejnë si skema për të pastruar paratë dhe si të tilla investitorët mund të përballen me rrezik të konsiderueshëm ligjor;
  • Investimi lidhet me një mungesë transparence si rezultat i një informacioni të pamjaftueshëm dhe të pa audituar nga shoqëritë e auditimit.
  • Tregu i monedhave Virtuale me Ofertë Fillestare (ICO) mund të jetë i manipuluar, duke qenë subjekt i përhapjes së lajmeve të rreme me qëllim për të ndikuar çmimin e monedhës virtuale, i cili mund të manipulohet lehtë.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare informon investitorin se në Republikën e Shqipërisë nuk ekziston asnjë kompani e licencuar nga Autoriteti për të emetuar monedha virtuale me ofertë fillestare. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që mund të ekzistojnë skema mashtruese që të tërheqin  investitorët për të investuar në ICO jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.  Në të tilla raste duhet të tregoheni të kujdesshëm, pasi Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nuk ka licencuar asnjë agjent për të promovuar aktivitete të tilla.