4 Dhjetor 2017

AMF në bashkëpunim me partnerë lokalë dhe ndërkombëtarë fillojnë projektin për mikro-sigurimet vullnetare

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare së bashku me disa partnerë lokalë dhe ndërkombëtarë filluan sot, më 4 dhjetor, projektin për sigurimin vullnetar gjithëpërfshirës në vend. Ky projekt mbështetet dhe financohet nga Iniciativa për Akses në Sigurime (Access to Insurance Initiative) në bashkëpunim me Akademinë për Udhëheqje Globale të GIZ (GIZ Global Leadership Academy). AMF e fitoi këtë projekt pas një procesi aplikimi dhe përzgjedhjeje që filloi në maj të këtij viti. Projekti do të zgjasë deri në nëntor 2018.

Si pjesë e këtij projekti është krijimi i një ekipi kombëtar, i cili do të punojë për të adresuar në një mënyrë të re sfidat me të cilat përballet industria e sigurimeve në vend lidhur me mikro-sigurimet, si sigurime vullnetare gjithëpërfshirëse. Pjesëmarrës në këtë ekip janë drejtues departamentesh të rëndësishme nga shoqëritë e sigurimit, banka, agjenci kreditimi si edhe organizma të tjerë që kanë aktivitet në fushën financiare dhe të biznesit. AMF është pjesë e këtij ekipi e përfaqësuar nga Nëndrejtoresha Ekzekutive, Znj. Mimoza Kaçi.

Në workshopin e parë prezantues të këtij projekti, përshëndeti Z. Hans-Jürgen Cassens, Drejtuesi Rajonal i GIZ në Shqipëri, i cili theksoi potencialin e madh që ka mikro-sigurimi në vend, duke bashkuar të gjithë aktorët e interesuar për të sjellë zgjidhje inovative. Duke theksuar rëndësinë e këtij projekti për Shqipërinë, Z. Ervin Koçi, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së bëri edhe një pasqyrë të ecurisë së tregut të sigurimeve në vend duke nënvizuar shkallën e ulët të penetrimit të produkteve të sigurimit në Shqipëri, si më e ulta në rajon. Ai theksoi se një nga arsyet kryesore të aplikimit për këtë projekt është se vendi ynë me një ekonomi në zhvillim, ka pjesëmarrje mjaft të ulët në sigurime, dhe kjo sidomos për individët me të ardhura të ulta dhe bizneset e vogla e të mesme (SME). Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi “... ky projekt do të jetë një përvojë e mirë në diskutimin dhe gjetjen e zgjidhjeve për kapërcimin e barrierave të kostove të produkteve dhe futjen e produkteve të reja të përshtatshme për pjesën me të ardhura të ulta të shoqërisë, duke rritur përfshirjen e popullsisë në skema të ndryshme të mikro-sigurimesh vullnetare.”

Ekipi kombëtar do të punojë në disa faza për ndërtimin e besimit dhe lidhjeve bashkëpunuese për mikro-sigurimet, kuptimin e saktë të realitetit dhe mundësive për sigurime gjithëpërfshirëse në vend, krijimin e dialogun për mikro-sigurimet vullnetare dhe gjetjen e rrugëve inovative për përballimin e sfidave në këtë sektor. Objektivi përfundimtar është rritja e pjesëmarrjes së individëve dhe bizneseve në skema sigurimesh vullnetare gjithëpërfshirëse.

Për më shumë informacione kontaktoni amf@amf.gov.al