12 Dhjetor 2017

AMF thellon bashkëpunimin me Korpusin Vullnetar të Shërbimeve Financiare

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe drejtues të tjerë të AMF-së zhvilluan sot, më 12 dhjetor 2017 një takim me përfaqësues të Korpusin Vullnetar të Shërbimeve Financiare, FSVC, Z. Charles E. Kilbourne, menaxher në zyrat qendrore dhe Z. Ersion Kotini, drejtori lokal i FSCV-së në Shqipëri.

Objekti i takimit ishte thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dhe inicimi i projekteve të përbashkëta midis dy institucioneve. Gjatë vitit 2017, AMF dhe FSVC kanë thelluar bashkëpunimin duke vijuar me projektin e sistemit të paralajmërimit të hershëm që shërben si bazë për mbikëqyrjen në tregun e sigurimeve. Duke falënderuar për asistencën e dhënë deri tani, z. Ervin Koçi, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, theksoi se projektet e deritanishme kanë kontribuar në zhvillimin profesional dhe rritjen e kapaciteteve mbikëqyrëse të AMF-së. Përfaqësuesit e FSVC theksuan bashkëpunimin e suksesshëm në disa projekte në mbështetje të rolit mbikëqyrës dhe rregullator të AMF-së, duke veçuar programin trajnues afatgjatë për aktuarët deri në pajisjen e tyre me certifikatë. (Actuarial Training and Certification Program, ATCP) si edhe asistencën në hartimin e ligjeve për fondet e investimeve dhe të pensioneve private.

Autoriteti është i motivuar të zhvillojë tregun e sigurimeve gjithëpërfshirëse dhe të krijojë njohuri për një eksperiencë afatgjatë lidhur me mikro-sigurimet bazuar në standardet ndërkombëtare të sigurimeve. Për këto arsye, theksoi Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, z. Koçi, AMF kërkon edhe bashkëpunim me FSVC për të na ndihmuar në zhvillimin dhe përmirësimin e aksesit në mikro-sigurime për popullsinë me të ardhura të ulta në vend. Përfaqësuesit e FSVC u shprehën të gatshëm për thellimin e bashkëpunimit me Autoritetin duke rritur edhe numrin e projekteve të përbashkëta.

Për më shumë informacione kontaktoni [email protected]