18 Dhjetor 2017

AMF dhe Kolegji Universitar “Luarasi”, bashkëpunim për të rritur edukimin financiar tek studentët

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi sot një takim informues me studentët e Kolegjit Universitar “Luarasi”, në vijim të zbatimit të Strategjisë për “Rritjen e besimit të konsumatorit/investitorit në tregjet financiare nën mbikëqyrje”. Aktiviteti synoi rritjen e njohurive dhe edukimin financiar të të rinjve për Autoritetin. Gjatë aktivitetit u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Kolegjit Universitar “Luarasi”, nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi dhe Rektori i Kolegjit Universitar “Luarasi”, Prof. Dr. Et’hem Ruka.  

Në fillim të fjalës së rastit, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi, pasi shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin me Kolegjin Universitar “Luarasi”, bëri një përshkrim të shkurtër në lidhje me financimin dhe funksionimin e Autoritetit, duke theksuar se “Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është krijuar mbi bazën e Ligjit 9572 të vitit 2006 dhe është një person juridik publik i pavarur që raporton në Kuvendin e Shqipërisë.”

Më tej, Z. Koçi theksoi se rritja e njohurive financiare janë mjeti më i mirë për të shtuar mbrojtjen për qytetarët dhe për t’i larguar ata nga abuzimet.  “Eksperienca jonë e viteve të kaluara me skema financiare të gabuara, por edhe eksperienca të ngjashme botërore kanë treguar sa i rëndësishëm është një konsumator me edukim financiar të mjaftueshëm, por edhe në vazhdimësi.”

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së theksoi se iniciativa e nisur për edukimin financiar me studentët e pedagogët, do të zgjerohet edhe me grupe të tjera për të përcjellë informacione të thjeshta e të kuptueshme për gjithë publikun. Në funksion të mbrojtjes së konsumatorit, Autoriteti është duke punuar për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator për tregjet nën mbikëqyrje. Për këtë, ai po bashkëpunon me partnerët ndërkombëtarë si Banka Botërore dhe ka si synim kryesor t’i japë zgjidhje problemeve të hasura deri tani në tregjet nën mbikëqyrje.

Me interes u pritën pyetjet nga pedagogët dhe studentë të Kolegjit Universitar “Luarasi” lidhur edhe me funksionet dhe organizimin e Autoritetit. Duke iu përgjigjur pyetjeve specifike, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së shpjegoi se bazuar në ligjin për AMF-në, Autoriteti financohet nga tregjet nën mbikëqyrje, nuk merr para nga buxheti i shtetit dhe synon rregullimin e tregjeve financiare jo bankare, duke mbrojtur njëkohësisht interesat e konsumatorëve dhe nxitur qëndrueshmërinë, transparencën dhe besueshmërinë.  

Nga ana e tij, rektori i Kolegjit Universitar “Luarasi”, Z. Et’hem Ruka nënvizoi se marrëveshja e bashkëpunimit me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare do t’u shërbejë dy institucioneve për shkëmbim eksperiencash, por edhe si një urë lidhëse për studentët, edhe për shkak të Masterit profesional për “Menaxhim sigurimesh” të nisur këtë vit akademik nga Kolegji Universitar “Luarasi”. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare synon ta vijojë fushatën e edukimit financiar vitin e ardhshëm me takime të tjera në universitete, por edhe grupe të tjera interesi.   

Për të lexuar fjalën e plotë të Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, Z. Ervin Koçi lutem klikoni këtu