19 Dhjetor 2017

Qytetarë kujdes!

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare sjell në vëmendjen Tuaj se që prej datës 1 nëntor 2017 shitja e policave të sigurimit kufitar bëhet nëpërmjet raportimit të tyre në kohë reale përmes regjistrit elektronik të sigurimeve të detyrueshme motorike. Gjithashtu personat e miratuar nga AMF për llogari të shoqërive të sigurimit për shitjen e policave kufitare nuk mund ta kryejnë këtë veprimtari jashtë territorit të Shqipërisë.

Për këtë arsye çdo policë e sigurimit kufitar që mund t’iu ofrohet pa hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë apo që është e plotësuar me shkrim dore dhe jo me mjete elektronike, Ju ofrohet në kundërshtim me rregullat e legjislacionit shqiptar e si e tillë është e pavlefshme.

Bëni kujdes! Që një policë kufitare të jetë e vlefshme, ajo duhet të figurojë në regjistrin online në faqen zyrtare të AMF-së. Në rast se polica juaj kufitare nuk figuron në sistemin online, kontaktoni Autoritetin, nëpërmjet adresës së E-mailit [email protected], numrit të celularit +355694060671, apo edhe mesazheve në inbox-in e faqes tonë në Facebook. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka kërkuar gjithashtu bashkëpunimin e Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese në identifikimin e rasteve abuzive me qëllim  mbrojtjen e qytetarëve.

Periudhat e fundvitit shoqërohen edhe me rritje të lëvizjeve në drejtim të Shqipërisë, prandaj duhet të tregoni kujdes me blerjen e policave të sigurimit kufitar, që të mos bini pre e abuzimeve të mundshme.