27 Dhjetor 2017

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar - nëntor 2017

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar - nëntor 2017 kapën vlerën mbi 14,290 milionë lekë, ose 6.85% më shumë se në periudhën janar - nëntor 2016. Gjatë periudhës janar - nëntor 2017, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,136,689 me një rritje prej 14.06% krahasuar me periudhën janar - nëntor 2016. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.57% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.15% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.29%.  Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zunë 37.85% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zunë 62.15% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar - nëntor 2017, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4,360 milionë lekë, ose 16.39% më shumë se në periudhën janar - nëntor 2016.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar - nëntor 2017 arritën rreth 8,882 milionë lekë, ose 6.89% më shumë se në periudhën janar - nëntor 2016.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar - nëntor 2017, pati një rritje prej 8.30% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 7.37% krahasuar me periudhën janar - nëntor 2016.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar - nëntor 2017 pati një ulje prej 6.54% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndersa numri i kontratave pati një rritje prej 7.17% krahasuar me periudhën janar - nëntor 2016.

Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar - nëntor 2017, pati një rritje me 5.92% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar - nëntor 2016. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 4.30%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar - nëntor 2017 arritën rreth 5,409 milionë lekë, 6.79% më shumë se në periudhën janar - nëntor 2016. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 22.50% krahasuar me periudhën janar - nëntor 2016.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar - nëntor 2017, patën një rritje me 2.89% kundrejt periudhës janar - nëntor 2016.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar - nëntor 2017 siguruan rreth 2,357 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 74.71%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 15.59% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar - nëntor 2017, vihet re një rritje prej 3.62% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një ulje me 6.59% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar - nëntor 2016.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar - nëntor 2017, arritën në rreth 1,070 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 2.82% në krahasim me periudhën janar - nëntor 2016.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar - nëntor 2017, arritën rreth 1,021 milionë lekë, ose 28.16% më shumë se në periudhën janar - nëntor 2016.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar - nëntor 2017 u rritën me 16.39% krahasuar me periudhën janar - nëntor 2016. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 2,751 milionë lekë, apo 63.10% të totalit të dëmeve të paguara bruto.



Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar - nëntor 2017, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për muajin janar - nëntor 2017 (në versionin EXCEL) klikoni këtu.