29 Dhjetor 2017

AMF dhe INSTAT nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Instituti i Statistikave nënshkruan sot më 29 dhjetor 2017 një memorandum bashkëpunimi, duke përcaktuar përgjegjësitë për përpunimin e të dhënave në kuadër të prodhimit të statistikave kombëtare sipas Programit të Statistikave Zyrtare. Gjithashtu, dy institucionet do të bashkëpunojnë për hartimin e planeve strategjike në fushën e statistikave, përmirësimin e metodologjisë së statistikave, metodave dhe teknikave ekzistuese, përmes grupeve të punës dhe shkëmbimit të rregullt të dokumentave formalë dhe teknik.

Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Koçi dhe Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Znj. Delina Ibrahimaj. AMF dhe INSTAT bien dakort që të bashkëpunojnë për realizimin e anketave dhe vrojtimeve statistikore të bizneseve dhe konsumatorëve/investitorëve për tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit. Realizimi i këtyre anketave është në funksion të objektivave ligjorë të Autoritetit për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe investitorëve dhe nxitjen e qëndrueshmërisë, transparencës e besueshmërisë së tregjeve nën mbikëqyrjen e AMF-së.