9 Janar 2018

AMF miraton Fondin e Kompensimit për vitin 2018, rrugëzgjidhje pagesave të mbartura ndër vite

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në mbledhjen e datës 28 dhjetor 2017, mori një vendim mbi Fondin e Kompensimit për vitin 2018. Ky vendim i Bordit të Autoritetit vjen në funksion të mbrojtjes së interesave të konsumatorëve dhe i jep zgjidhje një problematike të mbartur nga viti 2001 me pagesat e prapambetura me Fondin e Kompensimit. Këto dëme i përkasin aksidenteve të shkaktuara nga makina të pasiguruara ose të paidentifikuara.

Sipas vlerësimeve masa e Fondit të Kompensimit për detyrimet e mbartura dhe që do të lindin për vitin 2018 vlerësohet rreth 1.8 miliardë lekë, e ndarë:
  • 1.25 miliardë lekë për ngjarjet nga viti 2001 deri 31.12.2013 ku përfshihen detyrime të papaguara, që janë në proces trajtimi apo proces gjyqësor pa vendim të formës së prerë;
  • 418 milion lekë për ngjarjet nga viti 2014 deri në 31.12.2017 ku përfshihen detyrime të papaguara, që janë në proces trajtimi apo proces gjyqësor pa vendim të formës së prerë, dhe
  • jo më pak se 150 milionë lekë për ngjarjet që mund të ndodhin gjatë vitit 2018.
Bordi i AMF-së urdhëron Byronë Shqiptare të Sigurimit që të ndjekë procedurën e shlyerjes së menjëhershme të detyrimeve të papaguara të praktikave të dëmeve objekt i Fondit të Kompensimit, për të cilat ka përfunduar procesi i trajtimit (përmbarimore, me vendim gjykate të formës së prerë dhe të miratuara, por të papaguara) në vlerën totale  923 354 758 lekë për ngjarjet e sigurimit nga data 01.01.2001 deri në 31.12.2017.

Njëkohësisht, për të mos krijuar borxh të ri, Bordi i AMF-së vendosi krijimin e Fondit të Kompensimit për vitin 2018, minimalisht në masën 895 203 094 lekë, i ndarë:
  • 745 203 094 lekë për shlyerjen e detyrimeve për ngjarjet nga 1 janar 2001 deri në 31 dhjetor 2017 (që janë në proces trajtimi apo procese gjyqësore, pa vendim të formës së prerë) dhe
  • jo më pak se 150 milion lekë për ngjarjet që mund të ndodhin gjatë vitit 2018.  
Vendimi bën të mundur që çdo qytetar që gjatë vitit 2018 fiton një vendim të formës së prerë nga gjykatat ose i miratohet nga shoqëritë e sigurimit, do të paguhet brenda vitit 2018.

Autoriteti, ashtu si në shumë vendime të marra gjatë vitit 2017, do të vazhdojë të fokusohet tek mbrojtja e interesave të konsumatorëve dhe e konsideron shlyerjen e detyrimeve të Fondit të Kompensimit si një ndër prioritetet kryesore të veprimtarisë së tij gjatë vitit 2018, edhe pse këto detyrime kanë filluar të mbarten prej vitit 2001.