10 Janar 2018

AMF mbi shitjen e policave të sigurimit MTPL

Në funksion të mbrojtjes së konsumatorit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi inspektime pranë pikave të shitjeve të policave të sigurimit MTPL të disa shoqërive të sigurimit. Pas konstatimeve nga inspektimet, Bordi i Autoritetit vendosi t’u kërkojë shoqërive të sigurimit marrjen e disa masave për rregullimin e situatës. Si pasojë e shkeljeve të konstatuara gjatë inspektimit, janë marrë masa për pezullimin e ushtrimit të veprimtarisë për një periudhë 6-mujore për një agjent në sigurime dhe katër punonjës të shoqërive të sigurimit, ndërsa i është ndaluar ushtrimi i veprimtarisë një agjenti tjetër në sigurime.

Në vendimin e Bordit theksohet se kontratat e sigurimit të detyrueshëm MTPL duhet të shiten vetëm nëpërmjet regjistrit elektronik online dhe nënshkrimi i tyre të bëhet vetëm nga ndërmjetësit në sigurime ose nga punonjës të shoqërive të sigurimit, të licencuar nga Autoriteti.

AMF i bën edhe njëherë thirrje konsumatorëve që të kontrollojnë online policën e tyre të sigurimit MTPL në faqen e internetit të Autoritetit, duke plotësuar të dhënat e kërkuara. Në rast se polica nuk gjendet, ata duhet të njoftojnë Autoritetin, ose strukturat e tjera ligjzbatuese për të mos rënë pre e abuzimeve. Për të garantuar një mbrojtje sa më të mirë të konsumatorit, mbarëvajtjen e tregut dhe respektimin e ligjit, Autoriteti do të zhvillojë në mënyrë periodike inspektime në terren.

Vendimet e plota të Bordit të Autoritetit, mund t’i gjeni në faqen web të AMF-së, seksioni Publikime/Buletini Zyrtar/2017.