25 Janar 2018

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për vitin 2017

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për vitin 2017 kapën vlerën mbi 16,194 milionë lekë, ose 5.38% më shumë se në vitin 2016. Gjatë vitit 2017, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,261,238 me një rritje prej 11.99% krahasuar me vitin 2016. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.06% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.44% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.50%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zunë 38.48% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zunë 61.52% të totalit të tregut.

Gjatë vitit 2017, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth *5,514 milionë lekë, ose 15.80% më shumë se në vitin 2016.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë vitit 2017 arritën rreth 9,963 milionë lekë, ose 4.81% më shumë se në vitin 2016.

Produkti MTPL e brendshme, në vitin 2017, pati një rritje prej 5.91% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 6.39% krahasuar me vitin 2016.

Produkti Sigurim Kufitar në vitin 2017 pati një ulje prej 7.27% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndersa numri i kontratave pati një rritje prej 5.79% krahasuar me vitin 2016.

Produkti Karton Jeshil, në vitin 2017, pati një rritje me 4.39% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me vitin 2016. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 3.54%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë vitit 2017 arritën rreth 6,231 milionë lekë, 6.30% më shumë se në vitin 2016. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 19.09% krahasuar me vitin 2016.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë vitit 2017, patën një rritje me 3.02% kundrejt vitit 2016.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë vitit 2017 siguruan rreth 2,563 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 74.98%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 15.25% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë vitit 2017, vihet re një rritje prej 3.59% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një ulje me 5.93% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me vitin 2016.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë vitit 2017, arritën në rreth 1,190 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 3.77% në krahasim me vitin 2016.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë vitit 2017, arritën rreth 1,204 milionë lekë, ose 23.15% më shumë se në vitin 2016.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë vitit 2017 u rritën me 15.80% krahasuar me vitin 2016. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 3,053 milionë lekë, apo 55.36% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.


Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për vitin 2017, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për vitin 2017 (në versionin EXCEL) klikoni këtu.