9 Shkurt 2018

Drejtues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare takohen me përfaqësues të Bankës Qendrore Evropiane

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Koçi, priti sot në datën 9 shkurt 2018 përfaqësues të Bankës Qendrore Evropiane, BQE. Qëllimi i vizitës së përfaqësuesve të BQE ishte vlerësimi i Programit të Reformës Ekonomike të ndërmarrë nga Shqipëria, i cili është një proces që BQE e bën në mënyrë periodike me të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.  

Përfaqësues të Bankës Qendrore Evropiane ishin Z. Bernd Schnatz, Zv. Drejtor i Divizionit të Zhvillimeve të Jashtme dhe Znj. Isabella Moder. Gjatë takimit, Z. Koçi bëri një prezantim të aktivitetit të AMF-së dhe sfidat e tregjeve financiare jobankare. Nëndrejtoresha Ekzekutive Znj. Mimoza Kaçi dhe Drejtues të Departamenteve të AMF-së bënë një përshkrim të zhvillimeve të tregjeve nën mbikëqyrje, duke evidentuar zhvillimet e tregut të kapitalit, ecurinë e tregut të sigurimeve dhe fondeve të pensioneve.
Gjithashtu u prezantuan edhe zhvillimet kryesore në drejtim të plotësimit dhe përmirësimit të kuadrit ligjor dhe rregullativ, zbatimin e direktivave të Bashkimit Evropian për tregjet financiare jobankare, punën e bërë në evidentimin e risqeve të sistemit financiar, mbikëqyrjen me bazë risku, si dhe iniciativat e reja në tregun e kapitalit.

Drejtuesit e departamenteve të AMF-së prezantuan për përfaqësuesit e Bankës Qendrore edhe veprimtarinë e AMF-së në kuadër të memorandumit të përbashkët për rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare në vend si edhe lidhur me rolin e AMF-së në kuadër të grupit të stabilitetit financiar.

Në përfundim të takimit Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Z. Koçi theksoi gatishmërinë e bashkëpunimit të mëtejshëm të AMF-së me institucionet financiare ndërkombëtare në kuadër të çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Për më shumë informacion kontaktoni [email protected]