19 Shkurt 2018

AMF dhe “Albanian University” bashkëpunojnë për rritjen e edukimit financiar te studentët

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi sot një takim informues me studentët e “Albanian University” në kuadër të strategjisë për “Rritjen e besimit të konsumatorit/investitorit në tregjet financiare nën mbikëqyrje”. Aktiviteti synoi rritjen e njohurive dhe edukimin financiar të të rinjve për Autoritetin. Gjatë aktivitetit u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe “Albanian University”, nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi dhe Rektorja e “Albanian University”, Prof. Dr. Vera Ostreni.

Në fillim të fjalës së rastit, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi, pasi shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin me “Albanian University” foli për rëndësinë e rritjes së edukimit financiar dhe fushatën e ndërmarrë nga Autoriteti për këtë qëllim.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm se tregjet financiare janë një fushë relativisht e re në shoqërinë shqiptare, madje edhe vetë institucioni, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për një pjesë prej jush është pak i njohur. Prandaj edukimi financiar dhe mbrojtja e konsumatorit janë vendosur në fokus të punës sonë. Kjo, pasi eksperienca ka treguar se një qytetar me edukim financiar të ulët është shumë herë më i rrezikuar për t’u përballur me risqe të ndryshme, të cilat nuk i ka kuptuar, duke rënë pastaj pre e abuzimeve që mund të shkaktojnë edhe dëm të madh financiar për të,” theksoi Z. Koçi.

Ai i bëri një ftesë të gjithë studentëve dhe pedagogëve të jenë pjesëmarrës aktivë përmes punimeve të tyre shkencore në konferencën e parë kombëtare që organizon Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në muajin maj në lidhje me problemet dhe sfidat për zhvillimin e tregjeve nën mbikëqyrje dhe rëndësinë e edukimit financiar.

Nga ana e saj, rektorja Ostreni shprehu bindjen se marrëveshja e nënshkruar mes dy institucioneve nuk do të mbetet thjesht në letër, por do të shërbejë për vendosjen e urave të bashkëpunimit dhe për realizimin e qëllimeve të përbashkëta, si rritja e njohurive financiare në njërën anë dhe përgatitja sa më e mirë profesionale e studentëve në anën tjetër.